Vllaznia do presë sot në sfidën e javës së 23-të të kampionatit ekipin e Dinamos. Një sfidë që do luhet në orën 16:45, në stadiumin e qytetit të Shkodrës, “Loro Boriçi”.

Sfida e tretë këtë sezon mes dy skuadrave, ku statitstikat flasin në favor të Vllaznisë me një fitore 6-3 në fazën e parë dhe një barazim 0-0 në fazën e dytë.

Por Vllaznia do ketë sot përballë skuadrën me sulmin më të dobët të Superligës. Në 22 javë kampionat deri më tani, dinamovitët kanë shënuar vetëm 12 gola.

Duke qenë në këtë mënyrë skuadra që ka shënuar më pak në sezonin 2021-22. Madje edhe ekipe si Skënderbeu në vendin e fundit ka shënuar 18 gola, e po ashtu ekipe si Egnatia dhe Kastrioti numërojnë nga 17 gola të shënuar.

Madje interesant është fakti se 1/4 e golave në këtë kampionat, Dinamo i ka shënuar kundër Vllaznisë. Pikërisht në sfidën e fazës së parë të humbur nga dinamovitët në shifrat 6-3 në Shkodër. Kjo ishte ndoshta edhe ndeshja ku sezoni i Dinamos mori një drejtim tjetër dhe kriza mbizotëroi në kampin blu.

Statistikat tregojnë se golat kanë munguar për Dinamon, por patjetër që mbrojtësit e Vllaznisë i dinë mirë cilësitë e kundështarëve. Kjo pasi emra si: Agim Ibraimi apo Reginaldo janë ndër më të njohurit në Superligë e nga ata që kanë shënuar në të shkuarën edhe në portën e Vllaznisë.

Endri ÇINARI