Në këtë janar, Rubin Hebaj bëri një lëvizje surprizë në karrierën e tij duke kaluar në kampionatin e futbollit në Uzbekistan. Kështu sulmuesi la kampionatin shqiptar ku aktivizohej me Teutën për të provuar një eksperiencë të re në karrierën e tij. Tashmë pjesë e Andijan, 24-vjeçari është shndërruar menjëherë në protagonist.

Hebaj tashmë jo vetëm që është zhbllokuar në Superligën uzbeke, por po shënon në vazhdimësi. Shtatlarti gjeti golin sërish në javën e fundit në kampionat, pavarësisht se skuadra e tij u mposht në shifrat 1-2. Por Hebaj duket shumë i rëndësishëm për skuadrën uzbeke dhe këtë e tregojnë më së miri edhe statistikat.

Në 8 javë kampionat deri më tani, Andijan ka shënuar 8 gola në total dhe ka pësuar 9 të tillë. Nga këto 8 gola, 4 janë shënuar nga ish-sulmuesi i Vllaznisë, që tregon se ai është njeriu më i rëndësishëm në formacion. Me një ecuri të tillë Hebaj renditet edhe si golashënuesi i dytë momentalisht në Superligën uzbeke të futbollit, ndonëse ka luajtur jo në të gjitha ndeshjet e deritanishme.

Një ambicie në vete për të do ishte edhe fitimi i këpucës së artë të kampionatit. Për Hebajn kjo është eksperienca e tij e katërt jashtë Shqipërisë. Ku më parë është aktivizuar me Domzale në Slloveni, Vorskla Poltava në Ukrainë dhe Shkëndijën e Tetovës në Maqedoninë e Veriut. Në vendin tonë ai është aktivizuar tek Vllaznia, Partizani dhe Teuta.
Endri ÇINARI