Sulmuesi shkodran Ndue Mujeci ndërron sërish skuadër dhe njëkohësisht edhe shtet. Pas përvojave që ka kaluar në Letoni, Bullgari, Gjeorgji, Qipro e madje në Hong Kongun e largët, 26 vjeçari tashmë ka zgjedhur një kampionat tjetër për të luajtur.

Pasditen e sotme ai ka firmosur dhe është prezantuar tek ekipi maqedonas “Akademija Pandev”. Ky i fundit është ndër ekipet më të mira në futbollin e vendit fqinj dhe Mujeci dëshiron të tregojë vlerat e tij më të mira.

Ndërkohë deri më tani ai ka qenë pjesë e ekipit Cihangir në Qipron turke por duket se oferta e “Akademija Pandev” ka qenë më e mirë dhe e ka bindur për të ndërruar “strehë”.

Vetë ai shpeshherë në prononcimet e dhëna për “Shkodra Sport” deklaronte se i pëlqente të provonte eksperienca të reja në vende të ndryshme dhe tashmë do të provojë të luajë në Maqedoninë e Veriut.
www.shkodrasport.com