Rubin Hebaj nuk di të ndalet në kampionatin e futbollit në Uzbekistan. Sulmuesi shkodran ka gjetur sërish golin në futbollin uzbek, duke qenë kështu ndeshja e tretë rradhazi që ai shënon. Shtatlarti ka qenë edhe njëherë protagonist me skuadrën e Andijan në javën e 10-të të edicionit.

Në minutën e 5-të, Hebaj ka kaluar në avantazh skuadrën e tij. Ku pas një topi të lënë në mes të rrëmujës në hyrje të zonës, 24-vjeçari ka lëshuar një silurë. Duke e bërë të pamundur reagimin e portierit kundërshtar. Por në fund skuadra e shkodranit u përmbys ne shifrat 2-1 nga vendasit e OKMK. Duke qenë kështu një gol për statistikat personale të Hebajt.

Me këtë gol, ish-futbollisiti edhe i Teutës e Partizanit në vendin tonë shkon në kuotën e 5 golave në Uzbekistan. Ku pas 10 raundeve të parë ai qëndron i dyti në renditjen e golashënuesve në elitën e futbollit uzbek. Para tij në këtë renditje qëndron vetëm Ceran, që ka shënuar 8 gola deri në këto momente në kampionat.

Aktualisht ekipi i Andijan ndodhet në vendin e 10-të në kampionat me 9 pikë. Duke mos shkuar në sinkron me formën që po kalon Hebaj. Që tashmë e ka kaluar periudhën e përshtatjes me futbolli në Uzbekistan dhe po shënon në vazhdimësi nga java në javë.
Endri ÇINARI