Reali i Madridit dhe Barcelona do të ndajnë mes tyre nesër në mbrëmje trofeun e parë sezonal në Spanjë në këtë sezon, Superkupën e këtij vendi. Në orën 20:00 në Riad (Arabia Saudite), dy gjigantët spanjollë do të përplasin brirët për herë të parë jashtë Spanjë. Kjo nuk është një “Klasike” si gjithë të tjerat. Kjo finale do t’i shërbejë si Ksavi Hernandezit ashtu edhe Karlo Ançelotit për të prishur baraspeshën që ekziston mes tyre.
anceloti cavi
Që me marrjen e detyrës si trajner i Barcelonës, i Çavi Hernandezit, në katër përballje mes tij dhe Karlo Ançelotit gjithçka është e barabartë me nga dy fitore secili.
Prishja e baraspeshës mes Çavit dhe Ançelotit nuk do të jetë as e vetmja statistikë që të dy trajnerët kërkojnë të thyejnë. Kështu, në 20 “Klasiket” e fundit që ka parë përballë Barçën dhe Madridin, dy skuadrat kanë fituar nga 8 takime secila, ndërsa katër përballje të tjera janë ndarë në barazim.
“Klasikja” e parë e Çavit u luajt në sezonin e kaluar dhe rastësisht ishte edhe në të njëjtin kompeticion dhe në të njëjtat data, por me atë rast u luajt në gjysmëfinalen e Superkupës.
Stadiumi që priti duelin ishte stadiumi “King Fahd”, i njëjti stadium me finalen e kësaj të diele. Në takimin e një viti më parë ishte Reali që fitonte 3-2 në një gjysmëfinale mjaft të luftuar.
Që atëherë, janë luajtur edhe tri “Klasike” të tjera. E para ishte në të njëjtin sezon (2021-2022) dhe u luajt në “Santiago Bernabeu”, me një fitore madhështore për “Blaugranat”, të cilët mposhtën Realin e Madridit në shtëpinë e tyre me shifrat 0-4!
Dy ndeshjet e tjera janë zhvilluar këtë sezon, e para është luajtur gjatë fazës përgatitore në qytetin e Las Vegasit, me një fitore të ngushtë të Barcelonës, 0-1.
“Klasikja” e fundit mes të dyjave u luajt këtë sezon në La Liga, me djemtë e Ançelotit që triumfuan 3-1 në “Bernabeu”, pas një paraqitjeje mbresëlënëse.
Sot në mbrëmje, në stadiumin kombëtar të Riadit do të luhet përballja e radhës mes dy gjigantëve spanjollë dhe dy trajnerëve të mëdhenj, që do të kërkojnë të fitojnë titullin e parë të vitit ndaj rivalit më të madh.