Sonte në orën 18.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” duhej të ishte luajtur ndeshja e shumëpritur e kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj në mes Vllaznisë dhe Tiranës. Kalendari të paktën kështu e ka patur të planifikuar por nga sa mësohet, kjo ndeshje jo vetëm që nuk do të luhet në këtë datë por nuk do të luhet fare gjatë muajit dhjetor. Arsyeja kryesore është angazhimi i ekipit bardheblu me ndeshjet e Ligës Ballkanike ku ai merr pjesë sepse pikërisht sot, do të luajë ndeshjen e rradhës ndaj kundërshtarit maqedonas. Por jo vetëm kaq. Tirana edhe ditën e dielë ka sërish ndeshje për këtë kompeticion dhe kjo e bën të pamundur luajtjen e ndeshjes me Vllazninë.

Ideja për ta shtyrë për javën e ardhshme ka ekzistuar por në fakt edhe këtu ka dalë një problem. Nga data 21 deri më 28 dhjetor, pallati i sportit në Shkodër do të jetë i zënë me një aktivitet tenisi dhe kjo e bën të pamundur që gjatë këtyre ditëve të zhvillohet kjo ndeshje basketbolli. Në këto kushte, në mirëkuptim mes dy klubeve por edhe me aprovimin e Federatës Shqiptare të Basketbollit, është rënë dakord që kjo ndeshje të shtyhet pas gjysmës së dytë të janarit. Për shkodranët mbase mund të jetë e mirë kjo shtyrje sepse do t’u japë mundësi të përgatiten si duhet për këtë ndeshje por nga ana tjetër, shtyrja për në janar ka humbur edhe interesin e sportdashësve të basketbollit të cilët mezi e prisnin një sfidë të tillë. Në atë të fazës së parë të luajtur në Tiranë, Vllaznia ka udhëhequr rezultatin për 35 minuta dhe ka qenë shumë pranë fitores por ndëshkimi i katër lojtarëve të saj me personale, ka bërë që Tirana ta fitonte ndeshjen në fund. Për këtë arsye, kuqeblutë do të kërkojnë të marrin revanshin në këtë ndeshje të kthimit që tashmë do të zhvillohet gjatë muajit janar.