Duke qenë se kampionatet do të jenë të ndërprera në këto ditë për shkak të grumbullimit të Kombëtareve, portali italian “Tuttomercato” ka vendosur të bëjë bilancet për këto shtatë javë të para të Serisë A, teksa ka përzgjedhur 50 futbollistët me paraqitjet më të mira. Siç dihet pjesë e këtij kampionati prestigjioz europian janë edhe shumë futbollistë shqiptarë.

Një ndër ata që ka fituar simpatinë e opinionit sportiv në Itali është mbrojtësi i Kombëtares, Marash Kumbulla. Lojtari aktivizohet me Veronën, ndërsa edhe pse në moshën 19-vjeçare është një titullar i padiskutueshëm.

Në fundjavën e kaluar, Kumbulla gjeti edhe golin e parë në Serinë A. Kështu, në renditjen e portalit italian, Kumbulla është pozicionuar në vendin e 26, me një mesatare note prej 6.5 për ndeshje.

“Një surprizë e madhe në këtë fillim të sezonit. Është vetëm 19-vjeçar, por çfarë personaliteti që ka treguar. Për shembull, mjafton ndeshja e fundit kur përballë kishte një dhelpër të vjetër si Kualjarela, të cilin e anuloi nga ndeshja. Dhe, Kualjarela vetëm pak muaj më parë u shpall golashënuesi i Serisë A”, shkruhej për Kumbullën./VipSport/