Redi Jupi e shikon si një kthim mbrapa transferimin e Lushkjas te Tirana. Ish-mesfushori dhe ish-trajneri i njohur, ka bërë së fundmi një analizë në lidhje me situatën dhe zhvillimet aktuale në futbollin shqiptar, teksa e vlerëson me nota pozitive transferimin e Balajt te Vllaznia.
I ftuar në rolin e specialistit të futbollit në studion e “Procesit Sportiv”, Jupi ka deklaruar ndër të tjera se Vllaznia nuk e ka petkun e pretendentit këtë sezon.
“Për Lushkjan është një kthim mbrapa, është vetëm 26-vjeç. Mendohej që të bënte hapin e madh duke hyrë në tregun rus apo më gjerë. Ky është një kthim mbrapa i fortë. Jam dakord me kthimin e Balajt në Shkodër. Ka ndërruar shumë klube në vitet e fundit, nuk ka gjetur stabilitet. Për Lushkjën nga ana e karrierës është kthim mbrapa.
Balajn herën e fundit e kam parë me Kombëtaren, ka disa muaj. I gjithë vlerësimi do bëhet me atë që kam parë. Fizikisht mu duk mirë. Duhet parë sa i motivuar është dhe si e ka gjendjen tani. Vllaznia e ka atë profil lojtari, është Kaina, është lojtar i mirë jo i përsosur. Balaj në qoftë se është në gjendjen e tij optimale, është vlerë e shtuar.
Partizani dhe Tirana kanë diçka më tepër se të tjerët, por nuk kanë vazhdimësinë, apo ndonjë diferencë shumë të madhe.
Vllazninë nuk e shikoj për titull as me blerjet e reja. Ka pavazhdimësi në lojë. Do ishte si thyerja e “hersit” në zgjedhje, në qoftë se Vllaznia fiton titullin.
Erzenin nuk e shikoj bindës për të luftuar për Kupat e Europës. Të gjitha vendet e tjera nga i gjashti dhe poshtë janë në luftë për të shpëtuar nga rënia”, deklaroi Redi Jupi.