Ish-kapiteni i Vllaznisë dhe trajner aktual i 17-vjeçarëve kuqeblu, Gilman Lika ishte i ftuar mbrëmë në Star Sport. Ish-mesfushori u ndal tek fitorja ndaj Partizanit duke vlerësuar ndeshjen e shkodranëve.

Por gjithashtu Lika theksoi se tashmë gjithçka varet nga futbollistët dhe ata duhet të tregojnë sa vlejnë në fushë. Kjo edhe për të krijuar një vazhdimësi në Superiore.

Lika tha: “Më pëlqeu gjithçka ndaj Partizanit, jo vetëm fitorja që patjetër është më e rëndësishmja. Por më pëlqeu edhe loja, grinta dhe karakteri që tregoi ekipi i Vllaznisë. Kjo tregon që ekipi nuk ka alibi, jo mungon ky lojtar apo ai lojtar. Pasi ata që ishin në fushë treguan se kanë vlera dhe dinë të luajnë futboll.

Prandaj nuk ka më justifikime për futbollistët kuqeblu. Por ata duhet ta tregojnë veten në çdo javë. Duke filluar që nga Laçi këtë javë apo Bylis në raundin që pason. Kjo për të krijuar edhe vazhdimësinë që ka munguar këtë sezon. Por ky vit i ri duket se ka ardhur me mentalitet dhe grintë tjetër, e kjo patjetër jep pozitivitet.

Bekim Balaj? Është një afrim që ngroh shumë. Pasi vjen një lojtar me shumë eksperiencë dhe me peshë. Që ka një personalitet dhe cilësi për të cilat i njohin të gjithë.

Uroj të bëjë sa më mirë që fillmisht për skuadrën dhe objektivat që ka, por edhe anën e tij personale. Pasi sulmuesit dihet që në futboll maten me gola dhe uroj që Balaj të shënojë sa më shumë”.
Endri ÇINARI