Ditën e dielë në pallatin e sportit ‘Qazim Dervishi’ në Shkodër do ketë një eveniment të veçantë për boksin. Disa nga boksierët më të mirë shkodranë do kenë përballë kundërshtarë të boksit profesionist.

Një prej tyre është edhe Arjon Kajoshi, i cili mbrëmë ishte i ftuar mbrëmë në rubrikën sportive të Star Sport. Ai u shpreh për duelin që do ketë dhe me shpresën dhe premtimin që si ai edhe kolegët e tij të dalin triumfues në këto ndeshje.

Kajoshi tha: “Këto janë ndeshje të veçanta që çdo boksier kërkon ti ketë në karrierën e tij. Kjo pasi i përkasin nivelit profesionist. Dhe ne do kemi përballë kundërshtarë të një niveli shumë të lartë dhe që në renditjen e përgjithshme botërore janë sipër nesh.

Nga Shkodra nuk do jem vetëm unë, por edhe Hysa dhe Drini që do kenë ndeshjet e tyre. Po ashtu edhe Zeneli nga Vlora ndërsa Vrenozi për shkak të një kontrate që ka, nuk i lejohet të boskojë në këtë event.

Unë do kem përballë një kundërshtar nga Bjellorusia. Një vend që ka traditë në boks dhe që paraqet një nivel vështirësie të konsiderueshme. Kjo do jetë ndeshja ime e 5-të në boksin profesionist, ku dueli do ketë 6 raunde.

4 të tjerat i kam fituar pa u plotësuar të gjithë raundet, uroj që diçka të tillë ta përsërisë edhe para tifozëve shkodranë. Patjetër që triumfi në ndeshje të tilla garanton rritje, e po ashtu edhe kundërshtarë më të fortë në të ardhmen.

Kam besimin që jo vetëm unë, por edhe të gjithë ata që do përfaqësojnë vendin tonë të dielën do jenë triumfatorë. Dhe pavarësisht se ndoshta mbështetja nuk është në nivelin e duhur për këtë disiplinë sportive, ne kemi marrë gjithmonë rezultate shumë të mira që shpresoj të përsëriten edhe kësaj here.”
Endri ÇINARI