Ka nisur në Sofje të Bullgarisë Kampionati Botëror I boksit për 18 vjeçarë. Në këtë eveniment shumë të rëndësishëm merr pjesë edhe kombëtarja shqiptare e përbërë nga 5 sportistë dhe e drejtuar nga trajnerët Zef Gjoni e Jozef Sermi. Madje, ditën e djeshme është zhvilluar edhe ndeshja e parë teksa në ring është ngjitur vlonjati Krenar Zeneli. Ai është ndeshur me një boksier nga Kirkistani dhe nuk ka mundur dot të fitojë ndaj tij duke bërë kështu që të heqë dorë nga vazhdimi I mëtejshëm në këtë botëror. E nëse ai nuk do ketë mundësi të vazhdojë të konkurrojë më, katër boksierët e tjerë do të kenë sërish shanse.

Ditën e djeshme ndërkohë është ngjitur në ring boksieri shkodran Syrjan Marinaj I cili konkurron në peshën 75 kilogramë. Ai ka patur përballë një boksier nga Izraeli të cilin e ka mundur me rezultatin e pastër 3-0. Marinaj i ka bërë një nisje të mirë Botërorit megjithatë konkurrenca për medalje në këtë peshë do jetë e madhe sepse pjesmarrës në të janë plot 45 boksierë nga e gjithë bota. Pas Marinajt rradhën do ta ketë boksieri lezhjan Jurgen Uldedaj  që do të ndeshet me një kundërshtar nga Letonia. Në peshën 81 kilogramë ku ai konkurron, janë pjesmarrës 32 boksierë megjithatë Uldedaj do të tentojë të futet në zonën e medaljeve ashtu siç bëri edhe vitin e kaluar në Kampionatin Europian të 16 vjeçarëve ku zuri vendin e tretë dhe mori medalje bronzi. Shpresa të mëdha ka edhe për boksierin tjetër të Vllaznisë Rexhildo Zeneli I cili konkurron në peshën 56 kilogramë. Ai në bazë të shortit, ka kaluar në turin e dytë ku do të ndeshet me fituesin e çiftit në mes një boksieri kolumbian dhe një sllovak. Në këtë peshë janë pjesmarrës plot 56 sportistë megjithatë Zeneli do tentojë medalje. Ai sëbashku me Uldedajn dhe trajnerin Sermi ndodhen prej dy javësh në Sofje duke u stërvitur. Trajneri Zef Gjoni nga Bullgaria përmes telefonit, ka bërë të ditur se boksierët e kombëtares shqiptare gëzojnë formë të mirë dhe ndonëse është e vështirë futja në zonën e medaljeve, ata do të tentojnë deri në fund për këtë gjë.

Gjergj KOLA