Kampionati kombëtar I basketbollit ka hyrë tashmë në fazën e tij më interesante. Pas përfundimit të dy fazëve të tij, tashmë nis faza e plej- ofit ku marrin pjesë katër ekipet më të mira të vendit. Nëse për tre të parat nuk ka patur asnjë suprizë teksa janë kualifikuar Vllaznia, Kamza Basket dhe Tirana, për të katërtën ka patur një ndryshim. Pritej që ajo të ishte Apolonia por në fakt është kualifikuar ekipi I Universitetit Amerikan të Tiranës. Ky do të jetë njëkohësisht edhe kundërshtari I Vllaznisë në gjysmëfinale. Ndeshja e parë në mes këtyre dy ekipeve do të luhet në Shkodër pasditen e së premtes.

Është caktuar edhe ora kur do të nisë ajo, pikërisht në orën 19.00 në pallatin e sportit ”Qazim Dervishi”. Në fakt, për ekipin shkodran nuk duket të ketë ndonjë problem për kalimin e këtij kundërshtari nisur nga diferencat që ekzistojnë në mes tyre. Madje, me shumë të ngjarë, nuk do të jetë e nevojshme të luhet ndeshja e tretë në Shkodër në mes tyre sepse gjithçka pritet të përfundojë pasditen e së martës në ndeshjen që do të luhet në “Asllan Rusi” në kryeqytet. Nëse ndodh kështu, atëherë shkodranët do të ndjekin me interes atë se çfarë ndodh në ndeshjen tjetër gjysmëfinale, atë në mes ekipeve të Kamza Basket dhe Tiranës. Për trajnerin Bledar Gjeçaj nuk ka ndonjë preferencë se kush mund të jetë përballë tyre në ndeshjet finale, përkundrazi Vllaznia po përgatitet me intensitet për kalimin me sukses edhe të këtyre finaleve, duke bërë kështu që ajo të shpallet kampion e vendit pas plot 14 vitesh mungesë. Investimi I bërë nga ana e presidentit Sokol Dibra në sjelljen e disa sportistëve cilësorë, rritja e formës së basketbollistëve shkodranë, ka bërë që Vllaznia të shihet nga të gjithë si pretendentja kryesore për fitimin e titullit kampion këtë sezon megjithatë në plej- of duhet bërë shumë kujdes sepse mjafton një hap I gabuar dhe gjithë kjo punë e bërë mund të shkojë dëm.

Gjergj KOLA