Që tifozët skocezë do të ishin një histori ndryshe nga tifozeritë e tjera që kishin ardhur kohët e fundit në Shqipëri, këtë e kishim kuptuar prej kohësh. Qytetaria e tyre dhe respekti në zemrat e shqiptarëve, u fitua që në momentin që miqtë vendosën të bënin bamirësi në Shqipëri.
Të shumtë në numër dhe të derdhur në rrugët e Tiranës dhe Shkodrës, është e pamundur që të mos hasësh disa tifozë skocezë në Shqipëri. Sipas numrit fillestar të biletave, përflitet se do të jenë më shumë sesa 1.000 tifozë miq në “Loro Boriçi”.
“Shqiperia.ch” ka kontaktuar më nga afër me dy prej tyre, babë e bir. Identiteti i tyre? Kërkonin që të quheshin thjeshtë “skocezët”, por ajo që ne ende nuk e kuptuam, ishte nëse kjo vinte për shkak të krenarisë së madhe prej nga vinin, apo alkolit që kishin konsumuar, që faktikisht ishte në masë jo të pakët.
Të ulur në një prej lokaleve të Tiranës, tifozët skocezë ishin duke konsumuar birrat e rradhës, që “avullonin” sa hap e mbyll sytë. Veshja e babait dhe të birit me fustanellë dhe tiparet karakteristike të skocezëve në fytyrë, dallon lehtësisht se cilët ishin këta njerëz dhe përse ndodheshin në kryqytetin e Shqipërisë.
“Kush do të fitojë nesër? Ne jemi të bindur për Shqipërinë”, i themi për t’i ngacmuar disi. E menjëhershme është ftesa dhe basti njëkohësisht që marrim nga ana e tyre: “Do të fitojmë ne, kjo është e sigurtë. Do e vendosim në këtë mënyrë. Nëse fiton Skocia, atëherë do t’ju duhet të na paguani diçka pas ndeshjes. Nëse fiton Shqipëria, atëherë do t’jua paguajmë ne”.
Çmimi? Është shumë e thjeshtë… birra. Për ta, duket vetë jeta. Pasi na përcaktojnë vendin dhe kohën kur duhet të takohemi për të përfunduar deri në fund bastin e ofruar nga vetë ata, tifozët në fjalë duan të lënë vlerësimin e tyre për shqiptarët, pa i pyetur ne fillimisht: “Kemi udhëtuar gjithmonë për Skocinë nëpër transferta. Por nuk kishim parë si shqiptarët, na kanë mikëpritur në mënyrë të shkëlqyer”.
Disi e çuditshme dukej pasi pavarësisht gjendjes së tyre të alkolizuar, sërish ishin të ndërgjegjshëm për vlerat dhe respektin që shqiptarët kishin treguar kundrejt tyre. Nuk do të donim që t’i ndërprisnim më gjatë nga rutina e tyre, ndërsa vetë tifozët skocezë kërkuan një fotografi së bashku me një tjetër tifoz shqiptar që gjendej aty pranë.
Duke bërë shqiponjën e të buzëqeshur, skocezët bëhen gati të konsumojnë birra, të bëhen bashkë me shqiptarët dhe të luajnë ndaj tyre shanset e kualifikimit në Europian nga “Liga e Kombeve”. /Shqiperia.ch/