Mauro Ikardi është kthyer përsëri në golashënuesin e pandalshëm i cili shkëlqeu në vitet e tij te Interi në Serinë A. Lojtari ka gjetur vetveten në radhët e Gallatasarajit dhe është bërë bomber i jashtëzakonshëm përsëri, siç tregojnë shifrat me 11 gola në 13 ndeshjet e para të këtij edicioni.

Ndaj nuk është rastësi që tifozët e klubit turk janë mahnitur pas tij dhe e kanë kthyer në idhullin e ri të tyre. Fanella e Ikardit është ndër më të shiturat në historinë e klubit në vitet e fundit dhe kjo nuk është e vetmja mënyrë se si ata shprehin simpatinë ndaj futbollistit argjentinas.

Së fundmi është zbuluar se një tifoz i skuadrës, i ka bërë emrin të birit si sulmuesi. Foshnja ka lindur më 29 shtator dhe i është vënë emri Aslan Ikardi Ayan. “Aslan” në gjuhën turke do të thotë luan, si tatuazhi që ka futbollisti dhe me të cilin identifikohet nga tifozët.

Ndaj praktikisht, ai i ka vënë emrin të birit Luani Ikardi, një mënyrë origjinale për të kujtuar përgjithmonë sulmuesin i cili po bën kaq mirë në radhët e këtij klubi.