Seria A ka si rrallëherë në vitet e fundit tre skuadra që rivalizojnë për titullin e që kanë shanse reale për të bërë të tyrin trofeun.

Sigurisht, Juventusi është më i avantazhuar nga historiku dhe emri, ashtu si edhe nga pika që ka më shumë ndaj Lacios e 9 pikë (që mund të bëhen 6) ndaj Interit. Por duket se bardhezinjtë i favorizojnë edhe ekspertët e statistikave ndërkombëtare.

Instituti OPTA; i cili prej kohësh grumbullon të dhënat statistikore në futbollin botëror dhe është ndër më të njohurit, ka vendosur që të simulojë ndeshjet e mbetura në superkopjuterin e tij duke marrë për bazë të dhënat e ndryshme statistikore që ka prodhuar ccdo ekip. Nga 10 mijë simulime, është e qartë se Juventusi del në të shumtën e rasteve kampion.

Bardhezinjtë triumfojnë në 72% të rasteve duke ngritur trofeun, ndërsa i dyti i avantazhuar është Lacio, që ka 19,8% shanse pë rtë fituar Serinë A. Interi ka vetëm 8,2% mundësi për të fituar titullin në bazë të ekspertëve të statistikave.

Të njëjtat simulime tregojnë se në më shumë se 50% të rasteve, të 5 skuadrat që mbajnë 5 vendet e para në klasifikim, nuk do të ndryshonin pozicion, me përjashtim të Lacios që ka një përqindje më të ulët e që tregon se mund të ngjitet më lart, apo edhe të bjerë më poshtë në renditje.

Në simulimin që përfshin të gjithë kampionatin, skuadrat më të favorizuara për të rënë nga kategoria janë Breshia, Spal dhe Xhenoa, ndërsa Sampdoria e Leçe do të shpëtonin. Sa i përket Europës, Napoli do të kishte 47,9% mundësi për të siguruar vendin e 6 përfundimisht, ndërsa Milani 31,8% për vendin e 7. /vipsport/