Besa-Egnatia ishte kryendeshja e sotme në Kategorinë e Parë për grupin B, por në fund u kthye në turpin e futbollit shqiptar. PAs një pjese të parë ku u duk se kishte rivalitet dhe Egnatia e mbylli me fitore 0-2, befas pas pushimit rrogozhinasit futen në fushë me ide të tjera, duke toleruar hapur fqinjët e tyre.

Një skandal i vërtetë në stadiumin e Kavajës, me lojtarët e Egnatias që hapën portën dhe u bën gazi i botës, pasi edhe kundërshtarët e tyre nuk dinin të shënonin. Megjithatë, Besa i realizoi tre gola për të përmbysur rezultatin falë dashamirësisë së Egnatias. Kulmi arriti kur Dimo për rrogozhinasit humbi dy herë një penallti, pasi mesa duket urdhri ka qenë i qartë në pushim: duhet të fitojë Besa.

Një ndeshje turpi, që konfirmon edhe një herë se futbolli shqiptar është katandisur si mos më keq. Për çfarë i duhet një fitore e tillë Besës që pretendon ngjitjen në Superiore?

Degjenerimi i Kategorisë së Parë sapo ka nisur. Tashmë mbetet për t’u parë se çfarë do të bëj FSHF. Do të vazhdoj të mbyll sytë apo do të nis një revolucion, duke marrë dënime ekstreme për skuadra që hapin portën dhe bëhen qesharake. Për fat të mirë ndeshja transmetohej “live” në RTSH dhe 45 minutat e dyta ishin thjesht për “OSKAR”.

BESA-EGNATIA 3-2

Dikson 49′, Çekiçi 68′, 71′ / Canka 22′, 44′