Tefik Osmani, drejtori i ri sportiv i klubit të Vllaznisë, ishte i ftuar në emisionin sportiv “Star Sport”, që transmetohet çdo të hënë në ekranin e Star Plus. Në intervistën e tij me gazetarin Maringlen Zhivani, Osmani u ndal në shumë tema, teksa zbardhi një pjesë të strategjisë të asaj ç’ka pritet të ndodhë tek kuqeblutë, si në merkato apo edhe në objektiva. Drejtori i Vllaznisë tha se po fitove titullin në Shkodër, pastaj mund të jesh ose deputet ose ministër për vetë rrespektin që të japin njerëzit e këtij qyteti.

“Kalimi nga Tirana tek Vllaznia? Nuk ka qenë i lehtë për mua largimi nga Tirana dhe menjëherë të firmosja për Vllazninë. As vetë nuk e prisja. Në momentin që jam larguar nga Tirana, kam menduar që të bëj një pauzë, por ishte menjëherë oferta e presidentit Alban Xhaferi që më bindi dhe ishte e papritur.

Raporti me trajnerin Osmani? I shkëlqyer. Sa i takon profesor Qatipit, mendoj se ndonjëherë është edhe fat të punosh me një trajner si Qatip Osmani, që ka fituar disa tituj. Profesor Qatipi mendoj se është trajner profesionist. Një trajner i qetë, por nganjëherë është edhe pozitive të punosh me trajnerë të tillë si profesor Qatipi, pasi edhe mëson nga ai.

Po raporti me presidentin Xhaferi? Shumë e mirë. Në momentin kur unë kërkoj rrogat ose premio për skuadrën, aty mund të prishet pak. E them me shaka këtë. Është shumë e mirë realisht.

Rroga të prapambetura? Nuk ka pasur rroga të prapambetura, por kam kërkuar që në momentin që unë do të filloja punë, kërkoja që të bëhej diçka ndryshe dhe pa asnjë hezitim, presidenti Xhaferi mi ka plotësuar gjërat që unë kam kërkuar.

“Final Four”? Skema e re na jep mundësi të shumta për të arritur drejt “Final Four”. Mosfutja në katërshe do të ishte vërtetë dështim për Vllazninë, sepse ajo është mësuar gjithmonë të jetë në top-listë. Normalisht kur je në top-listë, është e pafalshme të mos marrësh pjesë në Europë.

Titulli kampion? Sa do ta doja edhe unë titullin kampion. Nuk është njësoj si të fitosh titullin kampion me skuadrat e tjera dhe si ta fitosh në Shkodër. Të fitosh titullin kampion me Vllazninë, pastaj mund të jesh ose ndonjë deputet ose ndonjë ministër. E them këtë, sepse e di rrespektin që bëhet në Shkodër.

E di sepse e shikoj dhe e has çdo ditë në Shkodër. Kam dy muaj këtu dhe rrespektohem në çdo ambient ku shkoj. Kam dy muaj që kam ardhur dhe nuk është se kam bërë ndonjë gjë të madhe dhe e shikoj rrespektin. Pra, kjo më bën që të zgjohem çdo moment i etur për të mos i zhgënjyer këta njerëz”,-tha gjatë prononcimit të tij me gazetarin Maringlen Zhivani, drejtori sportiv i KF Vllaznia, Tefik Osmani./SHKODRA-SPORT.COM/