Bylisi ka edhe 11 sfida nga fundi i garës, pra për ballshiotët janë 11 finale, teksa në lojë janë edhe 33 pikë dhe gara e mbijetesës është më e hapur se kurrë. Ballshiotët duke nisur nga takimi i parafundit i fazës së tretë ndaj Tiranës, luan 5 sfida në shtëpi dhe 6 në transfertë.
Llogaritë në Mallakastër kanë nisur me kohë që të bëhen dhe synimi është mbijetesa. Klubi e ka nisur me analizë javën antiTirana pas disfatës në Kukës, por edhe pas ecurisë jo bindëse javët e fundit, ku ballshiotët tashmë shkojnë në tri javë radhazi pa marrë fitore. Ballshiotët, ndryshe nga vitet e shkuara, këtë kampionat nuk kanë marrë ende asnjë pikë ndaj Tiranës, madje duke regjistruar dy humbje si në “Adush Muçaj”, 0-1 në fazën e parë ashtu edhe në fazën e dytë, teksa u mundën 4-1 në “Air Albania”.
Ethet e mbijetesës kanë përfshirë gjysmën e tabelës së renditjes së Superiores, pasi ka një garë të ashpër deri në këto momente dhe me 11 javë në lojë duket se përmbysjet janë të pritshme. Ballshiotët duan kthesën dhe kanë shansin më të mirë që ta bëjnë atë në shtëpinë e tyre, pasi kanë një grup me elementë cilësorë dhe me eksperiencë.
TIFOZËT – Në një situatë ai kjo me Tiranën dhe duke parë se ku ndodhen mallakastriotët në tabelën e renditjes, skuadra ka më shumë se kurrë nevojë për tifozët. Sfida është parashikuar që të luhet në fundjavë, të shtunën me bardheblutë, ndaj edhe në Ballsh kërkojnë që të kenë një mbështetje sa më të madhe nga ultrasit e vet.
Bylisi e ka pasur shtëpinë apo dhe tifozin vendës si një faktor kryesor në sukseset e arritura. Ndaj edhe në këtë moment skuadra mallakastriote kërkon që të ketë sa më shumë mbështetje ndaj Tiranës dhe klubi u bën thirrje që të jenë sa më të shumtë në fundjavë, në sfidën që është parashikuar të luhet të shtunën në orën 13:00, në “Adush Muçaj”.