Rumuni Dan Ignat që ka mbërritur ditën e djeshme tek Vllaznia, nuk është futbollisti i fundit i huaj që vjen për provë.

Ditën e sotme tek kuqeblutë ka mbërritur një tjetër lojtar. Bëhet fjalë për brazilianin Darlan Kardoso Ferrari.

Ai luan si mesfushor i avancuar dhe vjen nga futbolli portugez ku ka luajtur sezonet e fundit. Ky futbollist do të bashkohet menjëherë në stërvitje me kuqeblutë për t’u vënë menjëherë nën urdhërat e trajnerit Lika.

Bashkë me Darlan, shkon në katër numri i futbollistëve joshkodranë që janë aktualisht në stërvitje me ekipin e Vllaznisë, duke shtuar këtu edhe Ignat apo dhe elbasanasin Bilali dhe vlonjatin Zeqaj.

Për këta dy të fundit, tashmë stafi ka filluar të krijojë një ide megjithatë ende nuk është e qartë nëse do të qëndrojnë apo jo.

Ndërkohë, i ardhuri së fundmi- Darlan, mund të mos jetë futbollisti i fundit që do të vijë për provë tek Vllaznia. Në ditët e ardhshme priten edhe të tjerë.

Kuqeblutë kanë nevojë për përforcime sidomos në mbrojtje dhe mesfushë megjithatë deri më tani, asnjë nga lojtarët e ardhur për provë nuk ka rezultuar i dobishëm.

Gjasat janë që të ndodhë kështu edhe në të ardhmen megjithatë shpresat janë për të gjetur të paktën 2-3 lojtarë të cilët mund t’i shërbejnë skuadrës.

www.shkodrasport.com