Tërbuni është mposhtur në transfertë nga skuadra e Skënderbeut me rezultatin e pastër 2-0. Pukjanët nuk ia dolën që të merrnin qoftë edhe një pikë, paçka se shpresuan deri në fundin e ndeshjes për një gjë të tillë.

Sa i takon takimit, pjesa e parë është mbyllur 1-0 për ekipin korçar, të cilët kaluan në avantazh pas një penalltie të kthyer në gol. Ndërkohë në pjesën e dytë, Skënderbeu ka shënuar edhe golin e dytë dhe të fitores në minutat e fundit të krejt ndeshjes.

Tashmë, kjo humbje i lëkund disi pozitat e Tërbunit për t’u pozicionuar në pesë vendet e para. Pas kësaj humbjeje, ekipi pukjan renditet në vendin e gjashtë në kuotën e 20-pikëve në tabelën e renditjes.

Ndërkohë, vlen për t’u theksuar fakti se me Tërbunin në ndeshjen e sotshme u aktivizuan edhe dy futbollistë shkodranë, siç janë Ardit Hoxhaj dhe Alsid Tafili. Ndeshjen e rradhës, pukjanët do ta luajnë ndaj Burrelit në shtëpi. /Maringlen ZHIVANI/

Skënderbeu-Tërbuni 2-0

Formacioni i Tërbunit (4-4-2): Vata, Hoxhaj, Peqini, Junior, Metani, Saliaj, Tafili, Ntoya, Xhabrahimi, Krasniqi (u aktivizuan: Mezini, Mbaba) Tr: Alert Alcani