Kategoria e Parë do të rikthehet sërish ditën e nesërme me ndeshjet e javës së dytë. Një kategori që si asnjëherë tjetër është e mbushur me emra të mëdhenj të futbollit shqiptar, ku krahas atyre të një viti më parë, këtë sezon i janë bashkuar edhe Dinamo me Skënderbeun, të cilat pritet të jenë dy favoritet kryesore për të synuar rikthimin në Superiore.

Ndërkohë, këtë javë, Tërbuni do të luajë ndeshjen ndaj Burrelit në transfertë. Pragsfida në fjalë pritet me shumë interes për shkak se janë dy qytete veriore që përballen dhe pritet një rivalitet i madh në fushën e lojës.

Deri diku, pukjanët që këtë sezon futbollistik drejtohen nga trajneri Alert Alçani, kanë objektiv për të shkuar në Superiore, edhe pse do të jetë shumë e vështirë. Si gjithmonë, në rradhët e Tërbunit bëjnë pjesë edhe shumë futbollistë shkodranë, siç janë Ruqi, Tafili, Hoxhaj, Zagani, Popaj apo edhe i riu Xhakaj.

Tërbuni do të kërkojë maksimumin e mundshëm në këtë ndeshje, edhe pse ekipi i Alçanit e di mjaft mirë se e pret një sfidë shumë e vështirë ditën e nesërme në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit, duke nisur nga ora 15:00.
Maringlen ZHIVANI