Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova ka folur për Oversport pas barazimit pa gola përballë Laçit në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

“Laçi sot luajti mirë. Ishte i tërhequr në mbrojtje, për të tentuar kundërsulmin. Ne nuk ishim mirë në pjesën e parë, por në të dytën morëm kontrollin e lojës, por nuk arritëm që të rrezikonim. Është e vështirë në këtë periudhë të sezonit, që të depërtosh në mbrojtje të mirë-organizuara.

Egnatia ndryshe në transfertë dhe ndryshe në shtëpi? Kemi vështirësi në nisjen e topit nga mbrojtja, por lojtarët po ndiejnë lodhje dhe pasiguri. Sepse të gjitha skuadrat janë aty dhe ne kemi nevojë për pikë. Sot Laçi u mbyll në mbrojtje dhe u mundua të na ndëshkojë në kundërsulm.

Kupa ka një specifikë tjetër. E dinim që Laçi do mbrohej, edhe ngaqë ka humbur 3 sfidat e kampionatit ndaj nesh, por nuk arritëm që të sulmonim siç duhej në pjesën e parë. Në të dytë përmirësuam disi lojën, por pa arritur që të finalizojmë.

Kupa objektiv? Ne kemi organikë të mirë. Nuk kemi një formacion fiks apo skemë. Do të marrim ndeshjet me radhë, duke bërë më të mirën. Kupa është shumë e vështirë, ndikon edhe eksperienca, por do të tentojmë që ti shkojmë deri në fund.

Memolla pse nuk luan? Kam folur edhe me lojtarin, por presim momentin që ai të jetë më mirë. Do të shohim në vazhdim. Memolla është lojtar i Egnatias edhe për dy vite të tjera. Ka shumë ndeshje të tjera dhe besoj se do të ndihmojë skuadrën në vazhdimësi”, tha Tetova