Edlir Tetova ka folur pas fitores 4-1 kundër Kastriotit. Trajneri i Egnatias deklaroi për mikrofonin e Oversport:

“Desha të falënderoj çunat. Fusha jonë ishte kthyer në një makth psikologjik. Sot arritëm të fitonim me një lojë që dominuam. Patëm edhe ne momentet tona sidomos kur doli Kacbufi me të kuqe. Patëm edhe fat. Çunat u mobilizuan. Shënuam dhe golin e katërt e çdo gjë përfundoi.

Loja dhe pikët? Tani na duhen pikët. Këto ndeshje i fitojnë trajnerët. Ne duhet të jemi të kujdesshëm te kjo pikë e kampionatit. 3 pikë të lëna na çonin poshtë, ndërsa 3 pikë të marra na ngritën lart. Mendojmë për ndeshjen e radhës tani. Thyem pikën psikologjike te stadiumi ynë.

Kasa dhe Lila? E kemi diskutuar dhe përpara. Ne kemi kontigjent lojtarësh. Kishim mungesa prej kartonëve. Jackson ka shfaqur probleme te muskujt e këmbëve. Çunat janë për t’u përgëzuar sidomos në pjesën e sulmit. Rafaeli (Dwamena) nuk është ende në 100 përqindëshin e vet.

Penalltia? E thashë dhe përpara. Momenti i pritjes së penalltisë ishte si një marsh për ne. Mund të ndryshonte gjithçka sepse ishim me një lojtar më pak”, tha ai.