Për të pestin edicion të Kupës së Botës radhazi, Brazili nuk ia del të shkojë përtej çerekfinaleve, teksa mbrëmjen e sotme ishte Kroacia ajo që e mposhti 4-2 me penallti dhe i preu biletën për në shtëpi.

Kjo Kupë Bote ishte e fundit për kapitenin e “Selecaos”, Thiago Silva, i cili menjëherë pas ndeshjes ishte i pari që mori guximin të flasë për mediat, teksa nuk e fshehu hidhërimin për këtë eliminim të parakohshëm.

“Është e vështirë të gjesh fjalë në këto momente. Unë kam marrë disa vendime, që lidhen me përfaqësuesen, por edhe jetën personale, megjithatë kam keqardhje që si futbollist nuk arrita ta fitoj kurrë Kupën e Botës.

Është një rrëzim i hidhur, por duhet të shohim përpara dhe të ringrihemi sa më shpejt, pasi na presin të tjera objektiva”, deklaroi Thiago Silva.