Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur sot në Angli, ku qindra tifozë kanë detyruar Premier Ligën që të anulojë dhe shtyjë për një datë të pacaktuar duelin mes Mançester Junajtid dhe Liveprulit. Tifozët e Mançester Junajtid kanë qenë përgjegjësit e kësaj bëme duke përshkallëzuar në mënyrë të papritur veprimet e tyre kundër drejtuesve të klubit të cilëve u kërkojnë që ta nxjerrin në shitje që pas farsës së Superligës.

Pak orë para ndeshjes, dhjetëra tifozë janë mbledhur para hotelit ku gjendej skuadra, duke e bllokuar plotësisht, ndërsa qindra të tjerë janë shfaqur rreth stadiumit “Old Trafford” ku do të luhej dueli me rivalët historikë. Tifozët kanë arritur të kalojnë kordonin e forcave të rendit dhe të shpërthejnë dyert e stadiumit.

Për një orë ata u bënë pronarë të fushës, duke rrëmbyer rrjetat, apo materiale të tjera sportive që ishin bërë gati për ndeshjen mes dy ekipeve, me qëndrimin e qartë që të mos linin sfidën të zhvillohej.

Edhe pse më pas fusha u spastrua nga ultrasit e “djajve të kuq”, të dy klubet në bashkëpunim me Premier Ligën vendosën që ishte e pamundur që ndeshja të zhvillohej sot për sa kohë që situata vazhdonte e tensionuar dhe kështu, ndeshja u shty për një datë të pacaktuar. /vipsport/