Kampionati shqiptar është pezulluar prej më shumë se 1 muaji, por ende s’ka një datë se kur do të rinisë për shkak të situatës së krijuar nga Coronavirusi.

Numri i të infektuarve në vend vijon të rritet, ndërsa në Federatën Shqiptare të Futbollit janë diskutuar shumë skenare në mënyrë që të arrihet t’i vihet “kapak” këtij sezoni futbollistik ku kanë mbetur edhe 10 javë për t’u luajtur. E padiskutueshme është se tifozët nuk do të mund të jenë në stadium më për këtë edicion futbollistik.

UEFA ka vënë një limit kohor që të bëhen përpjekjet maksimale që kampionati të përfundojë deri në fund të qershorit. Kësisoj, në Federatën Shqiptare të Futbollit shpresohet që në fund të muajit maj të rinisë kampionati me dyer të mbyllura.

Ngarkesa për skuadrat do të jetë e madhe pasi për 4 javë do të zhvillojnë 10 ndeshjet e mbetura. Ndërkohë po shihet mundësia që stërvitja e ekipeve të nisë para rifillimit të kampionatit në mënyrë që të merret ngarkesa e duhur fizike për të gjithë futbollistët.

Ashtu siç është vepruar në Gjermani, lojtarët të zbresin në fushë për t’u stërvitur në grupe të vogla duke ruajtur distancën mes tyre. Sakaq me rëndësi janë dhe ndeshjet e Kupës së Shqipërisë. Me gjasë dhe ato do të luhen brenda këtyre javëve. Pra, qershori pritet të jetë muaji i zjarrit për futbollistët e kampionatit tonë, sigurisht duke shpresuar se situata në vend do të shkojë drejt stabilizimit./newsport/