Rio De Zhaneiro në Brazil ka anuluar planin që kishte hartuar për të ndryshuar emrin e stadiumit të famshëm “Marakana”, për t’i vendosur atë të Edson Arantes Do Nashimiento, të njohur botërisht si Pele.

Legjenda e futbollit brazilian është cilësuar shpesh si futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve dhe thuajse në çdo vend emri i tij do të kishte konsensus të gjerë.

Por guvernatori i Rios, Klaudio Kastro vendosi veton, duke i besuar më shuam dëshirës së tifozëve sesa votimeve në këshillin e shtetit që kishte vendosur që ta quante stadiumin “Mbreti Pele”.

Revolta e tifozëve ishte sepse ata nuk dëshironin që stadiumi të humbiste emrin origjinal të gazetarit Mario Fijo, i cili ishte ai që bëri lobim për ndërtimin në vitin 1940.

Shumë prej tifozëve argumentuan se këtij stadiumi i mjaftonte të njihej si “Marakana”, si lagjja ku është ndërtuar. Gjithashtu, për ta ishte absurde që t’i vihej emri i një futbollisti, sado i famshëm të ishte ai, që nuk kishte jetuar kurrë në Rio.

Një nga kundërshtarët e idesë ishte edhe Gerson, ish-futbollist i Brazilit dhe shok skuadre me Pele në Botërorin 1970, që u fitua pikërisht nga “seleçao”. /vipsport/