Vllaznia duket se do ta vuajë deri në fund dënimin e saj për t’I luajtur ndeshjet pa tifozë. Kishte pak shpresë se gjërat do shkonin ndryshe por deri ditën e djeshme nuk ka patur ndonjë zhvillim në këtë drejtim. Klubi Tirana siç pat premtuar, nuk është ndjerë në këtë drejtim ndërkohë që klubi shkodran për momentin nuk I ka financat e duhura për të paguar kompesimin e këtij dënimi.
Në këto kushte, parashikohet që kuqeblutë ta vuajnë deri në fund dënimin e dhënë nga komisionet e FSHF-së për të zhvilluar 10 ndeshje pa tifozë pas incidenteve të ndodhura në ndeshjen e fazës së parë Vllaznia- Tirana. Deri më tani ka kaluar vetëm gjysma e këtij dënimi. Javën e ardhshme luhet ndeshja e kupës me Kastriotin që fare mirë mund të zhvillohet pa tifozë dhe pastaj mbeten edhe 4 ndeshje të tjera deri në fund të pezullimit. Për ta konvertuar këtë dënim në anën financiare, Vllaznisë do t’I duhet të paguajë një shumë prej 20 milionë lekësh të vjetra por në fakt ajo e ka të vështirë ta bëjë këtë gjë.
Deklarata e Kalamishit
Pak ditë më parë, pikërisht para ndeshjes së javës të kaluar me Tiranën në kryeqytet, administratori i Vllaznisë Neritan Kalamishi do të deklaronte: “Presidenti i Tiranës Refik Halili na ka premtuar se kur të vijë puna për të kaluar gjysma e dënimit, pjesën e mbetur të tij do të na e paguante klubi i Tiranës. Prandaj jemi në pritje që ai ta konkretizojë këtë premtim, të paguajë në FSHF shumën që duhet për të na rikthyer tifozët e këtu do mbyllej gjithçka”. Por në fakt, që prej asaj deklarate të tij nuk ka patur më asnjë zhvillim. Edhe në takimin që palët kanë patur të shtunën që shkoi në tribunën e “Qemal Stafës” për ndeshjen tjetër në mes këtyre dy ekipeve, thuhet se një çështje e tillë nuk është hapur. Halili me siguri e ka harruar premtimin e bërë në Shkodër mesin e shtatorit ndërkohë që shkodranëve u ka ardhur zor mesa duket ta hapin këtë çështje.
“Zemërgjerësia” e Nurit
Por për ta paguar shumën përkatëse që do të bënte të mundur rikthimin e tifozëve shkodranë në stadium sërish, ka edhe një mundësi tjetër. Pikërisht pagesën e saj nga ana e zëvendëspresidentit aktual të FSHF-së Lutfi Nuri. Ai ka qenë prezent në takimin e “pajtimit” në mes dy klubeve pas incidentit të ndodhur dhe në atë tavolinë ka dëgjuar të thuhet nga pala tiranase se ajo meqë shkodranët nuk kërkuan dëmshpërblim për dëmet në stadium, të merrnin përsipër pagesën e kësaj shume pas kalimit të gjysmës së dënimit në mënyrë që të përfundojë ai dhe të rikthehen sërish tifozët në shkallët e stadiumit. Por meqë nga klubi Tirana nuk ka ndonjë sinjal për këtë, nuk përjashtohet mundësia që shuma në fjalë të paguhet nga “babaxhani” Nuri meqë ai kishte qenë inisiatori i asaj tryeze, edhe për ta mbyllur njëherë e mirë këtë histori. Gjithsesi ende nuk ka një gjë zyrtare në këtë mes nëse do ndodh kështu apo jo.
Klubi shkodran
Që shuma prej 20 milionë lekësh të paguhet nga ana e klubit shkodran për kthimin e tifozëve, kjo për momentin nuk është planifikuar. Aktualisht Vllaznia nuk i ka në arkë këto lekë për t’i kaluar pastaj në llogarinë e FSHF-së. Megjithatë ekziston mundësia që Bordi i ri të bëjë diçka në këtë drejtim dhe ai ta gjejë një zgjidhje. Kthimi i tifozëve për ndeshjen me Flamurtarin është mëse i domosdoshëm, edhe për ta ndihmuar skuadrën që ajo ta ndërpresë serinë prej 6 humbjesh rradhazi në kampionat.
© shkodrasport.com