Vesel Limaj rrezikon dënimin nga Komisioni i Disiplinës dhe i Etikës. Lojtari është njoftuar dje nga FSHF-ja se mund të jetë subjekt i diskutimeve në Disiplinë dhe ai duhet të japë versionin e tij të çështjes së kartonit të verdhë të marrë gjatë zëvendësimit me Egnatian.

Stafi i Tiranës është alarmuar dhe ka kërkuar t’i mbushë mendjen FSHF-së që është veçse një keqkuptim.

Gjithsesi, një ankesë e një klubi tjetër në FSHF, i cili ka paraqitur edhe rrëfimin e Limajt të bërë në TV, ka bërë që Disiplina të rihapë çështjen dhe Limaj të ndëshkohet me ndonjë gjobë ose pezullim disa javësh.

Vetëm sot pas mbledhjes së Disiplinës do të shihet nëse Limaj ia hedh apo do të mungojë në sfidën me Laçin.

Për Shehin, mungesa e mesfushorit do të ishte një humbje e madhe para sfidës me kurbinasit.

RREZIKU – Vesel Limaj mungoi ndaj krutanëve, për shkak të pezullimit nga kartonët. Por kjo nuk përbën problem, pasi mungesa e Limajt ka qenë e llogaritur që para ndeshjes, pasi duhej shlyer pezullimi ndaj Kastriotit, në mënyrë që mesfushori të ishte gati për turin e forcës me të mëdhatë.

Këtë gjë e ka pohuar edhe vetë Limaj, i cili i ftuar në emisionin “Skaner” e pranoi se kartonin e verdhë me Egnatian e kishte marrë me vetëdije dhe sipas llogarive.

Një veprim që i jep një avantazh sportiv skuadrës së Tiranës për ndeshjet në vijim pasi lojtari luan i qetë meqë është “pastruar’ nga kartonët. Por në këtë mes hyn tashmë Kodi i Etikës i FSHF.

Neni 21, pika 1, thekson se veprime të tilla janë të ndaluara.

“Një manipulim i tillë përkufizohet si ndikim ose ndryshim i paligjshëm, drejtpërdrejt ose me një veprim apo mosveprim, i rrjedhës, rezultatit ose ndonjë aspekti tjetër të një ndeshje ose aktiviteti futbolli, pavarësisht nëse sjellja është kryer për përfitime financiare, përparësi sportive ose ndonjë qëllim tjetër”, shkruhet në Kodin e Etikës i cili shërben si rregullator për aktivitetet kombëtare.