“Derbi” Murlani-Veleçiku ishte ndeshja më e rëndësishme e javës së 14-të të kampionatit kombëtar të futbollit për Kategorinë e Dytë. Një sfidë shumë e dyluftuar që në përfundim ka nxjerrë fitues Veleçikun e Koplikut me rezultatin 1-2.
Golat për koplikasit janë shënuar nga Bega dhe Banushaj, ku ky i dyti ishte një supergol nga rreth 50 metra distancë, ndërkohë që për vendasit, të vetmin gol e shënoi Shpuza.
Me këtë fitore, Veleçiku shkon në kuotën e 29 pikëve duke mbajtur vendin e tretë pas Orikut që kryeson me 32 pikë dhe Luzit 2008 në vend të dytë me 31 pikë.
Ndërkohë, në studion e “Sport Arena”, në TV Rozafa, trajneri i Veleçikut, Haris Lika u shpreh i kënaqur, jo vetëm me fitoren, por edhe lojën e zhvilluar nga skuadra e tij, duke premtuar fitore të tjera në vazhdim, me objektiv ngjitjen në Kategorinë e Parë.
“Veleçiku e ka detyrim të fitojë ndaj çdo kundërshtari, jo ndaj Murlanit, por kundrejt çdo kundërshtari, sepse është ndërtuar një ekip për të qenë pretendent dhe e ka grupin për të pretenduar për t’u ngjitur më lart. Sigurisht, fusha foli fjalën e vet në ndeshjen ndaj Murlanit. Ne bëmë më të mirën tonë, duke pasur parasysh që kohët e fundit, kemi pasur shumë mungesa.
Emra shumë të mëdhënj, që kanë përfaqësuar Vllazninë edhe në Superiore, por dashje pa dashje, edhe për t’i zëvëndësuar ata, kemi pasur mungesa të tjera, te disa djemve të rinj dhe kemi hasur problematikat tona, gjithsesi ekipi ka reaguar shumë mirë.
Unë e kam thënë edhe më përpara, sepse ka marrë tre fitore rradhazi. Në ndeshjet që, kur ka filluar faza e dytë, i kemi marrë të gjitha fitore pra dhe të them të drejtën, faza e dytë është pak më e favorizuar për ne në letër.
Gjithmonë flasim për ekipe në letër, këto që renditen nga vendi i fundit dhe këto tre ndeshje në vazhdim, pastaj kemi ekipet që i kemi më rival, që janë në vendet e para të renditjes, me tre pikë, që është vendi i parë Orikumi dhe Luzi.
Dy ekipe që kryesojnë aktualisht kampionatin, i presim në fushën tonë në fund të kampionatit dhe shpresoj që të bëjmë më të mirën tonë këto ndeshje, në mënyrë që t’i kemi ato dy ndeshje afër me pikë, në mënyrë që të zhvillohen si finale dhe t’i krijojmë mundësi vetes që në një përballje direkte, të tregojmë më të mirën tonë dhe të dalim direkt, atë që kemi menduar qysh në fillim.
Unë e kisha vlerësuar si ndeshje, atë ndaj Murlanit, pasi ata janë ekip për t’u vlerësuar në fakt, duke marrë parasysh që është një ekip që është formuar kohët e fundit. Ka dy vite që është formuar dhe ka bërë një punë shumë të mirë. Shpresoj shumë që të vazhdojnë kështu.
Dashje pa dashje, çdo ndeshje “derbi”, e dini edhe ju se sa e luftuar është, por kjo ndaj Murlanit, ishte një ndeshje që na bëri të motivoheshim edhe më shumë, duke marrë parasysh edhe nevojën për pikë, edhe objektivat që kemi ne e kishim shumë të rëndësishme këtë ndeshje. E fituam, por qe një ndeshje e bukur, e luftuar.
Në fakt, unë dua të komplimentoj edhe ekipin e Murlanit, se u zhvillua një ndeshje paqësore më së tepërmi, sepse kjo vlen shumë në fakt për t’u përmendur, që nuk pat incidente. U zhvillua një ndeshje futbolli, kuptohet e ashpër, sepse ajo as s’diskutohet që çdo ekip që hyn në fushë, futet për të fituar. Atë punë bëri Murlani, atë punë bëmë edhe ne, pavarësisht se në fund pastaj kuptohet fati na buzëqeshi ne, ekipit që besoj se është më i mirë.
Ajo që është për t’u përmendur është se nuk pat asnjë problem, që nga fillimi e deri në fund të lojës, nuk pat momente agresive. Drejtori teknik i joni, së bashku me drejtorin teknik të Murlanit, pra të dy, erdhën si te dhoma jonë e zhveshjes, ashtu edhe te dhoma e Murlanit shkuan të dy. Kuptohet, mbajtën një fjalim të shkurtë që të luhet lojë, fitoftë më i miri, mos të kemi incidente, mos të kemi problematika.
Në këtë ndeshje sigurisht që, fitoi më i miri, pasi një herë mund të jetë rastësi, por herën e dytë jo”,-tha në prononcimin e tij, trajneri i Veleçikut, Haris Lika.
Maringlen ZHIVANI