Për Dinamon aktuale mund të gjesh shumë argumente për t’u kapur, sepse është e qartë se jo pak gjëra janë bërë gabim dhe situata është përkeqësuar. Përveç tifozëve, kritikat nuk mungojnë nga ish-trajnerët dhe ish-lojtarët e 18 herë kampionëve të vendit. Shpesh ata evidentojnë problemet edhe me pak diplomaci, por ka edhe shpërthime që natyrshëm vijnë nga emocionet për shkak të lidhjes shpirtërore që kanë me fanellën blu.

Pas Sulejman Demollarit, i cili në një intervistë për gazetën i konsideronte gabime amatoreske ato që kanë bërë lojtarët e Dinamos, sot është Faruk Sejdini që reagon më fort. Ish-trajneri legjendar dinamovit e ka më shumë me Bledar Devollin dhe deklaratat e fundit të tij pas humbjes me Teutën. Si zakonisht, nuk mungojnë batutat e “xhaxhit” në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”.


Profesor Sejdini, Dinamo, pas rezultateve të fundit kërcënohet nga rënia nga kategoria. A e kishit menduar se do të arrinte deri në këtë pikë?

Jo, të them të drejtën, jo. Pas rikthimit në Superiore, mendova se do të ishte diku aty nga vendi i 5-të apo i 6-të, por me një ekip të konsoliduar, sepse me grupin e lojtarëve që ka, nuk është për vendin që mban aktualisht në renditje, e rrezikuar për të rënë nga kategoria. Situata është vështirësuar dhe të mos harrojmë se rivalët e saj në vazhdim të sezonit kanë edhe ndonjë avantazh. Dinamo do të ndiejë tani edhe ethet e rënies nga kategoria.


Për çfarë avantazhi e keni fjalën?

Dua të them se janë të mësuar të luftojnë me këtë lloj objektivi, për të qëndruar në kategori. Janë skuadra që kanë bërë ulje-ngjitje të shpeshta në Superiore dhe e dinë mirë se çfarë ndodh në këto situata. Janë më të stërvitur. Dinamo ra nga kategoria 10 vjet më parë dhe pastaj e dimë çfarë ndodhi, sa u desh për rikthimin.


Çfarë ka që nuk shkon me këtë Dinamo, që të katandiset në këtë situatë?

Për mendimin tim, Dinamo drejtohet keq. Skuadra përgatitet shumë keq psikologjikisht dhe në futboll kjo është një pjesë shumë e rëndësishme, përveç punës që bëhet me stërvitjen fizike dhe tekniko-taktike. Nuk më kanë pëlqyer aspak deklaratat e trajnerit pas ndeshjes me Teutën.

Pse?

Po si mund të flasësh ashtu? Si mund të thuash se ne e shkelëm Teutën në çdo aspekt, ndërkohë që ata shkuan në shtëpi me tri pikë, kurse ti u ktheve në shtëpi me duar në xhepa, me humbjen e radhës. Si mund të krenohesh me futbollistët, kur ata kanë humbur? Qimja e derrit? Po ti ke derrin brenda… (qesh). Po çfarë janë këto deklarata. Si do të dalësh një ditë pas ndeshjes, ditën e hënë, në stërvitje para ekipit, kur i ke lavdëruar publikisht.

Si mund të kritikosh për gjërat që nuk kanë shkuar në ndeshjen e fundit, kur ke dhënë deklarata të tilla publike. Kur skuadra nuk shënon, patjetër ka kritika, nuk mjaftojnë vetëm rastet. Në këto kushte futbollisti nuk motivohet, sepse mendon: “po unë në rregull jam, e kam bërë mirë punën time”. Është e papranueshme. Pastaj me këtë punën e trajnerëve ka edhe diçka tjetër te Dinamo.