Skuadra e tij u mund me rezultatin e thellë 0-6 nga Vllaznia në ndeshjen e javës së 11-të të vlefshme për kampionatin e femrave, megjithatë trajneri i Murlanit, Arben Parmeza, nuk është shfaqur fort i mërzitur pas saj. Në prononcimin e dhënë për mediat, ai është shprehur se për të e rëndësishme është që loja e skuadrës po vjen në rritje gjithmonë e më shumë.

“Jam i kënaqur me intensitetin dhe volumin e lojës, por ndoshta me disa gabime tona individuale, them se Vllaznia përfitoi. Gjithashtu, nuk mendoj që për dy-tre muaj punë të jemi gati për të konkurruar një ekip, i cili ka 10 vjet që ndërton punën e vet dhe ka arritur ato rezultatet që i dimë të gjithë.

Gjithashtu, përtej kësaj, ne do vazhdojmë punën tonë. I dimë defektet tona. Sigurisht duhen edhe disa ndërhyrje për të qenë më kompetitivë dhe për të qenë më rivalizues me ekipin më të mirë në Shqipëri.

Me thënë të drejtën, jo vetëm te golat, por do thosha që edhe në qarkullimin e topit, ishim më mirë se sa ndeshjen e mëparshme me Vllazninë. U penalizuam shumë nga dalja e dëmtuar e një lojtareje tonë kryesore, e cila na dëmtoi shumë në fazën ofensive.

Gjithsesi, ka vend sa të duash për t’u përmirësuar. Mendoj që kohën e kemi në dispozicion. Nuk shoh asnjë ekip tjetër si Vllaznia. Ndryshe do luajmë ndaj ekipeve të tjera të Superiores së vajzave.

Kështu që, kjo ndeshje le të jetë një pikë referimi e jona. Kaq kishim mundësi. Kaq kemi arritur deri në këtë moment.

Padyshim që ndaj ekipeve, që janë direkt pretendente, ndaj Apolonisë, ndaj Tiranës dhe ndaj Partizanit, ne do kërkojmë fitore”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Murlanit, Arben Parmeza.
Maringlen ZHIVANI