Totenhem nuk di të fitojë më dhe objektivi i arritjes së zonës Champions për Zhoze Murinjon ka filluar të duket si një utopi. Pas eliminimit nga Kupa FA pritej një reagim i ekipit në kampionat, por skuadra e portugezit ka lënë përsëri për të dëshiruar.

Vendasit shënuan që në pesën e parë me Ud dhe rrezikuan disa herë portën e londinezëve të cilët ndryshuan marsh në pjesën e dytë me aktivizimin e Lo Celso e Lukas Moura.

Dele Alli gjeti barazimin me penallti, por Totenhem nuk arriti të konkretizonte rastet që krijoi me sfidën që u mbyll 1-1 dhe lë këtë skuadër 4 pikë larg Çelsit të vendit të katërt që ka luajtur një ndeshje më pak.

“Do të dëshiroja të thosha disa gjëra por më mirë po e evitoj një gjë të tillë. Në pjesën e dytë jemi përmirësuar në mënyrë të ndjeshme në krahasim me 45 minutat e parë. Prisja që lojtarët e freskët të jepnin diçka më shumë për skuadrën. Dikush duhet ta kuptojë që luajmë në Premier Ligë.

Uroj që vitin tjetër gjërat të shkojnë më mirë pasi kështu nuk mjafton”, tha trajneri portugez pas sfidës, praktikisht duke ngritur flamurin e bardhë për këtë edicion. /vipsport/