Trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez, ka qenë më i relaksuar pas fitores së vuajtur kundër Almerias. Ai ka analizuar ndeshjen, duke vënë në dukje dominimin e ekipit të tij, por dhe gabimet që vazhdojnë të përsëriten. “Vuajtëm më shumë sesa prisja dhe se meritonim.

Goditëm 30 herë portën kundërshtare dhe i falëm dy gola. Pjesa e parë është e papranueshme si trajner. Pjesa e dytë, po. Kemi shpërdoruar shumë dhe kemi qenë me atë trend për një kohë të gjatë. Skuadrës i ka munguar shpirti. Skuadra nuk e ka atë shpirt që kishte sezonin e kaluar. As agresivitet, as përqendrim… ajo e pjesës së dytë është Barça që dua”, nënvizoi Ksavi.

Më pas ai ka vijuar: “Ne kishim nevojë për më shumë ritëm, intensitet”. Trajneri i Barçës ka vlerësuar dhe kapitenin Serxhi Roberton, autor i një dygolëshi. “Më jep kënaqësi fakti se Serxhi Roberto na dha fitoren, sepse ai është shembull, pavarësisht nëse luan apo jo.

Ai pothuajse shënoi një hat-trick, por përtej kësaj është puna, se si ai inkurajon skuadrën. Jam shumë i lumtur për të. Ka qenë gjithnjë i duruar në pritje të momentit të tij”, tha Ksavi.