“Ndeshja me Delvinën pati shumë faktorë kundër dhe veçse për sport nuk mund të flitej. Nuk ia vlen ta diskutosh për atë barazim që na penalizoi”. Kjo deklaratë e trajnerit të Pogradecit, Samuel Nikaj, dhënë për “Panorama Sport”, ka indinjuar kreun e pankinës së Delvinës, Arjan Guga.

Ky i fundit ka replikuar dje me Nikajn, duke i kujtuar këtij të fundit se Delvina e ndali në fushë Pogradecin dhe nuk vodhi asgjë.

“Jam karakter i qetë dhe asnjëherë konfliktues, por kur thika të shkon në zemër, më duhet të reagoj. Deklarata e Nikajt më la një shije të hidhur. Ndeshja është transmetuar direkt dhe të gjithë e panë se lojtarët e mi vendosën shpirtin në fushë. Nikaj u nxitua kur e konsideroi të fituar ndeshjen me ne përpara se të luhej. I kujtoj kolegut se nuk e njeh historinë e Kategorisë së Dytë dhe sidomos Delvinës.

Prandaj i them se Pogradecit nuk i vodhëm asgjë, madje kemi rezerva për arbitrimin, që na mohoi të paktën dy penallti. Nënvlerësimi dhe arroganca ndëshkohen. Herë tjetër Nikaj të hedhë në fushë 11 ushtarë dhe jo 11 gjeneralë.

Nëse do të kishim aleancë me Elbasanin, nuk do të ishim dënuar në ndeshjen e parë për një penallti të pathënë. Nuk e kemi luksin për të falur pikë, sepse jemi në zonën e ftohtë dhe nuk na shkon në mendje për të favorizuar asnjë ekip. Këtë do ta tregojmë edhe me Elbasanin të dielën”, ka thënë Guga për “Panorama Sport”. Pas 15 javësh kampionat, Delvina pozicionohet e nënta me 14 pikë, por vetëm me një pikë më tepër se zona “play out”.