Dinamo do të luajë nesër sfidën e javës së 28-të të Superligës ndaj Kastriotit. Dueli direkt për mbijetesën do të zhvillohet në “Elbasan Arena” dhe do të nisë në orën 14:45. Ditën e sotme në konferencën për mediat foli edhe trajneri i Dinamos, Rodolfo Vanoli i cili “thumboi” Bledi Shkëmbin dhe Devollin dy ish-trajnerët, duke i bërë përgjegjës për situatën që po kalon tani Dinamo.

“Situata nuk është e thjeshtë, por për sa kohë që unë jam përpara jush unë jam i gatshëm për të provuar për ta ndryshuar atë. Dinamo është një emër i madh dhe unë, pavarësisht se për një kohë të shkurtër, e kam përzemër. Më vjen keq dhe për presidentin që ka investuar pa fund, por tani ka ardhur momenti që ne të marrim përgjegjësitë tona.

Nuk duhet thjesht presidenti dhe unë të jemi të përgjegjshëm, por të gjithë. Ka shumë kritika ndaj Dinamos, ka njerëz apo ish-drejtues që përpiqen të shpëtojnë fytyrën e tyre dhe dalin e flasin nëpër media, por nëse jemi këtu ku jemi, është përgjegjësi edhe e atyre njerëzve që kanë punuar për 9 muaj në këtë klub. Ka ardhur momenti që të gjithë të lëvizin të ndenjurat dhe të bëjnë maksimumin. Unë për sa kohë jam këtu besoj ende“.

Kastrioti? “Ne na nevojitet vazhdimësi. Kjo është ajo që na mungon, Luajmë mirë ndaj Tiranës, më pas gabojmë me Egnatian. Nuk është çështje skeme kjo. E njëjta skemë u përdor dhe me Tiranën, por është çështje që skuadra nuk ka vazhdimësi rezultatesh. Kastrioti ka 4 fitore 1 barazim në 5 ndeshjet e fundit. Kjo gjë ne na mungon. Nëse duam të shpëtojmë kjo është ajo për të cilën kemi nevojë“.

Sofranac dhe Imami? “Sofranac nuk u ndje mirë përpara ndeshjes me Egnatian, ndërsa Imami ka qenë i dëmtuar. I pari do të jetë me Kastriotin, i dyti do të vazhdojë të mungojë. Përpara se të flitet për situata të ndryshme brenda ekipit në lidhje me këta dy lojtarë, duhet njohur ambienti i klubit dhe si është gjendja brenda ekipit, jo të ngrihen akuza të paqena“, u shpreh Vanoli./newsport/