Enkeleid Dobi ka folur pas humbjes 2-1 të Kukësit në shtëpi me Partizanin. Një debutim që vjen në mënyrën më të keqe të trajnerit të ri i emëruar pas largimit të Skënder Gegës.
Në prononcimin e zakonshëm pas takimit, tekniku i verilindorëve vuri “theksin” te problemet e dukshme të ekipit. Vendi i fundit me 2 pikë të grumbulluara, tregojnë gjendjen e këtij Kukësi që e nisi sezonin si favorit për të fituar kampionatin. Për Oversport, Dobi tha:
“Normal që na vjen keq. Ishte një ndeshje e barabartë. Duhet të merrnim 1 pikë. Reaguam pak më mirë në pjesën e dytë. Nuk do të gjejmë justifikime, por vetëm zgjidhje. Fati na ka ikur pak nga duart. Nuk vjen vetëm me fjalë, por edhe me punë. Duhet të ishim më të kujdesshëm. I dhamë mundësi Partizanit të na ndëshkonte. Duhet të ishim më afër. Futbolli është pak i komplikuar. Më vjen keq, gjynah. Pashë ekipin shumë të elektrizuar.
Skuadra? Lojtarët e Partizanit i kapte ngërçi, ne ishim shumë mirë. Në aspektin psikologjik duhet të ngrihemi. Çdo ditë do të na ndihmojë. Duhet të gjejmë zgjidhjet e duhura. Sot, Kukësi ka treguar karakterin sidomos në pjesën e dytë. Humbja të vret gjithmonë. Luajtëm sot për 3 pikë. Ishim shumë afër 1 pike.
Futbolli shqiptar? Kudo që shkon ka pluse dhe minuset e veta. Më para s’kanë qenë këto stadiume. Futbolli në Shqipëri po ecën me vërte. Nuk është si në kohën tonë.
Teuta dhe Kukësi? Nuk e prisja të ishin në fund të Superiores. Ky është vetëm fillimi. Unë them me rëndësi është se si ta përfundosh. Do të bëjmë ç’është e mundur të dalim nga ky ngërç.
Objektivat? Po e them shkurt, që çdo ndeshje ta fitojmë. Të tregojmë dinjitet dhe karakter mbi të gjitha. Humbja gjithmonë i ngel trajnerit, kur fiton, fiton skuadra. Duhet të jemi pak më të ndërgjegjshëm. Duhet të bëjmë balancat. Të shohim se çfarë do të rregullojmë. Kjo është detyra ime dhe do ta diskutojmë. Themi se do ta ringrejmë skuadrën”, tha ai.