Me 21 korrik, Vllaznia do të përballet kundër Universitatea Craiovës në kuadër të turit të dytë të Conference League. Kundërshtari i shkodranëve ka emëruar trajnerin e ri.

Bëhet fjalë për Laszlo Balint i cili ka folur për kuqeblutë, të cilët i vlerëson, por i sheh si kundërshtar të kalueshëm. Ai theksoi se ka nevojë për përforcime sa i përket grupit të lojtarëve.

“Në pamje të parë Vllaznia duket një kundërshtar i kapshëm, por të mos harrojmë veçorinë e futbollit shqiptar, shumë agresiv. Duhet të jemi të përgatitur nga të gjitha këndvështrimet.

Prioriteti për ne për momentin është të bëjmë përgatitjen më të mirë të mundshme, më pas do të kemi debutimin në Ligën 1. Nuk dua të fokusohem në atë që ka qenë. Përvoja me Laçin ishte e pakëndshme për futbollin rumun në përgjithësi. Por ne duam të lidhemi me momentin, të shohim më mirë dhe të arrijmë qëllimet tona. Shorti për skuadrat rumune në Ligën e Konferencës duket i arritshëm. Por futbolli është i paparashikueshëm, duhet të marrim shumë seriozisht çdo detaj.

Ne duam të kemi një rrugë të gjatë në Ligën e Konferencave dhe në kampionat gjërat janë të qarta. Duhet të luftojmë për trofeun. Ka gjëra që unë mendoj se rezultatet do t’i zbutin. Unë dua që tifozët të besojnë atë që ne bëjmë. Kam ardhur këtu me dëshirë për të punuar. Duhet të besojmë se mund të bëjmë gjëra të rëndësishme”, tha Laszlo Balint.

Kujtojmë që ndeshja e parë do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës në datën 21 korrik.