Vllaznia e volejbollit të meshkujve sivjet ka qenë surpriza e bukur e
kampionatit. Në pesë ndeshjet e para, ka arritur t’i fitojë të gjitha
dhe kjo tregon më së miri për ecurinë e shkëlqyer të tij.

Një ndryshim i madh krahasuar me një sezon më parë kur ekipi pati shumë probleme dhe nuk arriti të kalonte as në katërshen e më të mirëve të plej-ofit.

Por çfarë ka ndryshuar që solli edhe këtë transformim të krejt situatës? Dikush ia faturon një pjesë të mirë të meritave trajnerit Ermal Kraja, i cili ndonëse i ri në moshë, po tregon vlera në drejtim.

Por vetë ai, në një prononcim për “Shkodra Sport” kërkon ta shpërndajë çelësin e suksesit, duke ia dhënë më së shumti sportistëve.

“Unë dhe sportistët kemi punuar fort gjatë gjithë kësaj periudhe dhe ky mund të jetë çelësi i suksesit. Por nga ana tjetër besoj se është diçka e rëndësishme që na ka bërë të pathyeshëm.

Ky është besimi që lojtarët kanë fituar në vetvete. Unë i njoh prej shumë e shumë vitesh ata, ua njoh mirë vlerat dhe cilësitë. Kur kam marrë ekipin, gjëja e vetme që u kam thënë është se ata duhet të mendojnë se janë më të mirët në Shqipëri.

Dhe këtë po e tregojnë në çdo ndeshje. Ata janë vërtetë më të mirët dhe prandaj i kemi mundur të gjithë. Nëse ekipet vazhdojnë të luajnë me këtë kontigjente lojtarësh, Vlalznia ka për të qenë pretendentja kryesore për titullin kampion sepse nuk shoh ekip më të mirë se ne.

Por nëse ekipet e tjera blejnë lojtarë të huaj në janar, kjo i prish ballancat dhe do të ishte e domosdoshme të bënim edhe ne përforcime”.
© shkodrasport.com