7 vite në krye të Vllaznisë dhe 12 trofe të fituar, padyshim që e bëjnë atë të jetë ndoshta trajneri më i suksesshëm në futbollin shqiptar. Pa përmendur këtu edhe kalimin dy herë në këto tre vitet e fundit në 32 skuadrat më të mira të Europës.

E kemi fjalën për trajnerin e Vllaznisë së futbollit të femrave, Nikolin Leka. Nëse edhe këtë sezon, ai ia del të fitojë trofetë e rradhës, atëherë për të bëhen 14 trofe të fituar.

Leka, i ftuar në emisionin “Sport Arena” në TV Rozafa, shprehet se ekipi i tij ka bërë një hap të madh drejt fitimit të titullit, por ka ndeshje akoma dhe këto takimet e mbetura do t’i marrin me rradhë, për të mos gabuar.

“Ne kemi bërë një hap të madh drejt fitimit të titullit, por festën akoma, përderisa matematikisht, nuk kemi dalë kampion, atëherë pse duhet të nisim festën. Do t’i marrim ndeshjet të gjitha me rradhë, por me fitoren me Apoloninë, kemi bërë një hap të madh drejt titullit.

Padiskutim që është një punë shumë vjeçare e Vllaznisë së femrave. Një menaxhim i jashtëzakonshëm i presidentit Matija dhe normalisht kur të punosh fort, të menaxhohet mirë gjithçka, normalisht që janë edhe sukseset një pas një”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri i Vllaznisë së femrave, Nikolin Leka.
Maringlen ZHIVANI