Ditë gëzimesh në familjen Leka. Sot, pjestari i saj- Nikolini feston ditëlindjen. Mbush 55 vjeç dhe padyshim që këtë përvjetor e ka ndarë bashkë me familjen e tij, shokët, miqtë por edhe pjestarët e ekipit.

Këtyre të fundit padyshim që i dedikohet shumë sepse po i dhurojnë kënaqësi të pafund. Jo më kot, ka hyrë tashmë në histori si trajneri më i suksesshëm në historinë e futbollit shqiptar të femrave sepse ka fituar deri më tani 12 të tilla.

Nikolin Leka ka marrë drejtimin e Vllaznisë në korrik të vitit 2015 dhe që atëherë vijon punën me këtë ekip duke patur një karrierë shumë të suksesshme. Ka fituar 6 tituj kampion në sezonet 2015-2016, 2016-2017, 2017-2018, 2018-2019, 2019-2020 dhe 2020-2021. Por ndërkohë edhe në Kupën e Shqipërisë i janë bërë po ashtu 6 të fituara, pikërisht në të njëjtat sezone, 2015-2016, 2016-2017, 2017-2018, 2018-2019, 2019-2020 dhe 2020-2021.

Në total deri më tani ka fituar 12 trofe me Vllazninë dhe është shumë pranë të 14-it sepse vajzat kuqeblu po ecin të sigurta edhe drejt fitimit të titullit kampion të këtij sezoni por edhe të Kupës së Shqipërisë.

Leka nuk ka patur një karrierë të suksesshme si futbollist teksa ka luajtur deri me të rinjtë e Vllaznisë por pa arritur dot tek të rriturit, pasi ekipi i fundit të viteve ’80 ka qenë i blinduar me lojtarë të talentuar dhe ishte shumë e vështirë të depërtoje aty.

Ndërkohë, pas viteve ’90 nis të punojë si trajner me moshat, fillimisht tek shoqata “Labeat” dhe më pas tek Akademia Vllaznia. Në këtë të fundit, punon si zëvendëstrajner me ekipin U-19 dhe duke punuar me Luan Zmijanin, arrijnë edhe të shpallet kampion i Shqipërisë.

Por gjithsesi, suksesin më të madh po e arrin me ekipin e femrave të Vllaznisë. Numri i trofeve të fituar deri më tani pra është fiksuar në 12 por me siguri që ai do të shkojë edhe më tej.

Megjithatë sot është dita për të festuar. “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura Nikolin Lekës dhe sa më shumë suksese edhe në vazhdim të karrierës së tij!
Gjergj KOLA