Gara për kreun në Grupin B të Kategorisë së Dytë duket e destinuar të jetë një çështje golavarazhi deri në fund mes Pogradecit dhe AF Elbasanit, për të përcaktuar skuadrën që do të ngjitet direkt në Kategorinë e Parë. Aktualisht ekipet kanë nga 36 pikë, por në vend të parë janë liqenorët për shkak të golavarazhit më të mirë.

Duke qenë se dy përballjet mes tyre kanë përfunduar 1-1, në fund nëse gjithçka mbetet kështu me pikë, ekipi që ngjitet në Kategorinë e Parë do të përcaktohet nga diferenca e golave gjatë kampionatit. Kësisoj, deri më tani Pogradeci ka golavarazhin 42- 8, ndërsa Elbasani ndjekës 36- 9.

Ekipi liqenor është 7 gola para nga verdheblutë, kështu që nëse kampionati do të mbyllej sot, Pogradeci do të ngjitej direkt. Por çfarë mendon për këtë situatë trajneri Samuel Nikaj?

Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, shkodrani foli për fitoren e thellë 7-1 ndaj Maliqit dhe skenarët për kreun. “Shënuam shtatë herë, por mund të bënim më shumë gola. U nxituam para portës, sepse edhe Shyti që nuk humb kurrë penallti, e bëri një gjë të tillë për herë të parë në karrierën e tij. Kjo tregon që edhe ne kemi stres, sepse po shkon puna te golavarazhi dhe duhet të shënojmë sa më shumë në çdo ndeshje në vazhdim, por duke ruajtur qetësinë.

Diferenca me Elbasanin? Kjo do të thotë që ne të bëjmë çdo ndeshje sa më shumë gola, por gjithmonë si ndaj Maliqit, jo gola të shpikur. I kemi shënuar edhe Tepelenës 9 gola dhe e kemi treguar se çfarë jemi në gjendje të bëjmë.

Do të vazhdojmë me këtë ritëm, në mënyrë që në fund Elbasani ta kthejë në estradë kur t’i vijë mundësia për ta kthyer, ashtu siç ka për ta kthyer”, ka thënë fillimisht Nikaj, duke thumbuar jo pak rivalët. I pyetur pse i druhet faktit që kjo garë rrezikon të kthehet në estradë, trajneri i Pogradecit deklaroi:

“Ishalla nuk jemi barazim me pikë, që të ndahet me golavarazh, por besoj se me anë të golavarazhit do të ndahet kjo punë. Ne do t’i bëjmë hyzmetin çdo ndeshjeje dhe skenarët do të shihen në fund. Se çfarë ndodh, nuk e dimë, por janë instancat në FSHF që kur shikojnë parregullsi, marrin vendime dhe penalizojnë skuadrat.

Pogradeci do të mundohet të bëjë sa më shumë gola të rregullt. Do të kemi ndeshje të forta në vijim dhe ne mund të ndalemi, por unë shpresoj shumë që të paktën të ketë “fair play” dhe të mos ndikojnë aspak faktorët e jashtëm. Në fund të fitojë ai që e meriton”.