Bylisi ka mbyllur përgatitjet dje pasdite dhe e tërë skuadra është grumbulluar në prag të ndeshjes që do të luajë sot ndaj Tiranës në “Adush Muçaj”, në orën 14:00.

Mallakastriotët e trajnerit Naxhi Shensoi do të synojnë me patjetër që të rikthehen te 3 pikët, për më tepër që vijë nga një disfatë e pamerituar në Kukës. Gjatë javës ka pasur angazhim maksimal nga stafi dhe lojtarët, por edhe interesi i tifozëve që kanë ndjekur seancat ka qenë i madh. Trajneri i Bylisit, Naxhi Shensoi, ndalet te sfida me Tiranën, e cila sipas tij duhet vlerësuar, sepse jo më kot janë kampionët në fuqi të vendit si dhe kanë në gjirin e vet shumë elementë cilësorë dhe me kualitete.

Para ndeshjes, trajneri i ballshiotëve, në një prononcim që ka dhënë për gazetën “Panorama Sport”, fillimisht ndalet te disfata në Kukës, teksa thotë: “Humbja ishte e pamerituar, ashtu si në ndeshjet e tjera me Egnatian apo Teutën ku luajmë shumë mirë, por nuk marrim pikë dhe këtë e tregojnë rastet. Por nuk po na hyn më loja e bukur në lojë. Dua të ndalem pak edhe te deklaratat pas ndeshjes në Kukës. Shiko unë nuk i ndaj kurrë lojtarët dhe nëse ka një armë që na karakterizon këtu në Ballsh është se ne jemi një familje.

Dua të them që kur fitojnë e kanë meritë lojtarët e mi, ndërsa kur humbasim dhe këtu dua të ndalem, atëherë e marr unë si trajner fajin. Djemtë dhe ne si staf jemi duke punuar shumë mirë dhe po shkojmë mjaft mirë në stërvitje apo dhe në ndeshje. Kështu që konteksti në prononcimin tim në Kukës, ku unë fajësoj lojtarët, nuk qëndron, kurrë nuk e kam bërë një gjë të atillë dhe kurrë s’do ta bëj e për më tepër këtu nëBallsh. Është fati i keq dhe ngërçi që neve na prish jo pak punë dhe nuk shkojmë aty ku ne synojmë”, tha fillimisht trajneri i Bylisit, Naxhi Shensoi.

Ai ndalet më pas te Tirana dhe sfida e sotme ku shton se: “Tirana… Po kam fjalët më të mira dhe plotësisht me meritë, janë skuadra që po i jep tonin garës dhe për më tepër që kanë shumë cilësi, e madje edhe me elementë që spikatin në Superiore. I respektojmë shumë, por për hir të së vërtetës ne pikët na duken si buka në këtë moment në të cilin jemi. Ua kam folur dhe djemve, kemi punuar shumë këtë javë dhe ata e kanë të qartë dhe vet se kush është kundërshtari i sotëm dhe nevojën tonë për pikë. Do të hyjmë në fushë për të dhënë më të mirën tonë”, shtoi mes të tjerave trajneri i skuadrës mallakastriote, Naxhi Shensoi.

Në fund ai ka dhe një thirrje për sportdashësit e zjarrtë ballshiotë, teksa shton: “Luajmë një ndeshje delikate dhe unë i falënderoj që ata më kanë mbështetur dhe kanë respekt për mua, sepse e ndiej kur vijnë në ndeshje dhe stërvitje. Ne jemi një siç e thash më parë dhe unë i ftoj që të jenë sa më të shumtë sot ndaj Tiranës, sepse me ata ne kemi qenë jemi dhe do të jemi shumë më të fortë dhe duhet që së bashku ta kapërcejmë këtë moment dhe këtë ngërç psikologjik ku ne ndodhemi”, tha trajneri i Bylisit, Naxhi Shensoi.