Në merkaton e futbollit ka fare pak siguri për atë që mund të ndodhë, pavarësisht nga planet. Juventusi, për shembull, vitet e fundit ka “thërrmuar” disa mundësi që dukeshin “granit” dhe e kundërta. Kush do ta imagjinonte, fjala vjen, dy vite më parë, një ekip bardhezi të trajnuar nga Maurizio Sarri dhe me Cristiano Ronaldo në sulm? Vetëm tregu i transferimeve të Juventusit, megjithatë, na ka mësuar me kësi gjërash ekstreme.

Fabio Paratici, sipas “Tuttosport”, së shpejti do të vendosë të bëjë një goditje të madhe në sulm. Kjo imponohet me një “ligj të pashkruar”, kundër të cilit nuk mund të bëjë gjë askush: mosha e lojtarëve. Edhe Cristiano Ronaldo duket se nuk i shpëton kësaj, sepse është 35 vjeç dhe në çdo rast, kontrata e tij me klubin bardhezi do të skadojë mbas dy vitesh.

Periudha post-CR7 duhet të planifikohet në kohë. Gonzalo Higuain është 32 vjeç dhe kontrata e tij skadon mbas një viti, por vështirë të rinovojë. Pra, Juventusit i duhet një goleador për të ardhmen.

Paratici ka një listë dëshirash, edhe pse duhet pasur parasysh dinamika e paparashikueshme e merkatos. Ndoshta brenda disa muajsh, ai do të kurorëzojë “flirtin” e gjatë me Mauro Icardi. Ose, mbas një viti, do të kurorëzojë një tjetër “hulumtim” të gjatë:

Herling Braut Haaland. Ylli norvegjez e kërkoi më kot, kur ishte te Molde, dy vite më parë, por nuk e mori dot as midis dhjetorit dhe janarit, kur mund të çlirohej nga Salzburgu për klauzolën prej 25 milionë euro, të paguar më pas nga Borussia Dortmund.

Kostoja e kartonit në përpjekjen e parë, ajo e angazhimit në të dytën, gatishmëria e lojtarit për të evoluar gradualisht në të dyja rastet, bënë që Juventusi ta humbiste gjigantin norvegjez.

Por, vetëm për momentin, sepse ai mbetet në krye të listës së Paratici, mund të tentohet verën e vitit të ardhshëm, kur të futet në fuqi klauzola e largimit nga verdhezinjtë e Bundesliga për 75 milionë euro. Mino Raiola është “shkjesi” ideal për një “martesë” të tillë…

Emri i tretë për periudhën post-CR7 është një gjerman, Timo Werner. NJë talent, që vëzhgohet nga afër edhe prej gjoigantëve anglezë dhe Real Madrid. Pra, konkurrenca për sulmuesin në fjalë, që vlen 60 milionë euro, duket e madhe.

Sidoqoftë, Juventusi tregoi se nuk ka asgjë të pamundur për të, me marrjen e yllit portugez nga “Los Blancos”. Pasuesi i Cristiano Ronaldos në Torino është tashmë “kryefjalë” në menaxhmentin bardhezi./telemedia/