Tre prej futbollistëve të spikatur të Vllaznisë në vite, Luan Vukatana, Roland Luçi, Hysen Dedja u nderuan sot nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, me titullin e lartë, “Mjeshtër i Madh”.

Futbollistë këto, të cilët kanë fituar trofe me skuadrën kuqeblu si futbollistë, ndërkohë që dy prej tyre, Hysen Dedja dhe Roland Luçi kanë pasur rastin të drejtojnë Vllazninë edhe si trajnerë të parë.

Ndërsa, Hysen Dedja ka zgjedhur kryeqytetin shqiptar të jetojë me familjen e tij, dy kolegët e tij, Luan Vukatana dhe Roland Luçi, jetojnë jashtë Shqipërisë, Vukatana në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Luçi në Austri.

“Tituj të merituar, për tre ish futbollist dhe trajner të spikatur, talentë të Vllaznisë dhe ekipeve tona kombëtare. Luan Vukatana, Roland Luçi dhe Hysen Dedja, zyrtarisht nga sot janë dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh”, nga Presidenti i Republikës.

I përgëzoj tre të lauruarit, familjet e tyre dhe qytetin që i lindi dhe ku ata u bënë emra të tillë të mëdhenj, Shkodrën…!”, shkruan në një postim të shpërndarë në FB, gazetari i njohur sportiv, Dëfrim Methahasani, i përzgjedhur nga stafi presidencial për të moderuar aktivitetin e dekorimit të mjeshtrave shkodranë të futbollit në Presidencë.