Çiklistët e Vllaznisë kanë bërë një paraqitje të mirë në garat e kampionatit kombëtar të zhvilluara dy ditët e fundit në Elbasan. Rezultatet më të mira sidomos i kanë arritur çiklistët kadetë të cilët kanë zënë vendet e para në të dy garat, si në atë individuale me kronometër, ashtu edhe në rezistencë. Ndërkohë që tek kategoria U23 kemi edhe aty një kampion nga Vllaznia.

Ditën e djeshme është zhvilluar gara e kronometrit dhe në kategorinë kadetë, Servet Kastrati ka arritur kohën më të mirë nga të gjithë pjesmarrësit duke u shpallur kampion kombëtar për vitin 2020. Në vend të dytë ndërkohë është renditur një tjetër çiklist i Vllaznisë, Mateo Balaj.

Ndërkohë në kategorinë U23, tre çiklistët e Vllaznisë, Marçelo Kola, Gjergj Zefi dhe Bruno Kola janë renditur në vendet 2, 3 dhe 4 ndërkohë që kampion është shpallur sportisti i Studentit Ilia Çota.

Në podium është ngjitur edhe një tjetër çiklist i Vllaznisë në garat e seniorëve, pikërisht Besmir Banushi i cili është renditur i treti duke rregjistruar kësisoj një tjetër sukses për shkodranët.

Sot ndërkohë është zhvilluar gara e rezistencës dhe sërish nuk kanë munguar rezultatet e mira për çiklistët e Vllaznisë. Në garën e kadetëve, ka qenë dyshja Servet Kastrati- Mateo Balaj që u është shkëputur të gjithë dhe kanë mbërritur të parët në finish, teksa Kastrati është kampion kombëtar për këtë vit edhe në këtë garë.

Në garën e kategorisë U23 dhe të seniorëve duhet thënë se janë paraqitur disa probleme shëndetësore për sportistët Besmir Banushi, Bruno Kola dhe Marçelo Kola të cilët nuk arritën të japin atë çfarë pritej, megjithatë ka qenë Gjergj Zefi ai që ka spikatur duke iu shkëputur të gjithëve dhe ka prekur i pari vijën e mbërritjes duke u shpallur kësisoj kampion kombëtar për garën e rezistencës për këtë vit.
www.shkodrasport.com