Dy ditët e fundit në media ka patur shumë zhurmë në lidhje me huazimin e mundshëm të mbrojtësit Erdenis Gurishta tek ekipi i Tiranës për ndeshjet e Champions League.

Madje, ka patur zëra që shkodranët u kanë kërkuar bardhebluve 100 mijë euro për t’ua lënë të lirë lojtarin edhe për gjithë sezonin e ardhshëm. Por duket se nuk ka qenë kështu e gjithë kjo histori.

Ka qenë sponsori Alban Xhaferi ai që për “Shkodra Sport” ka sqaruar gjithçka duke thënë: “Kam lexuar shumë gjëra në lidhje me këtë çështjen e Gurishtës. E vërteta është se Tirana shfaqi interes për ta huazuar këtë lojtar për ndeshjet europiane dhe për këtë arsye, kam patur disa telefonata me presidentin e saj Refik Halili.

Ashtu si unë, edhe administratori Lici kemi qenë dakord që t’i ndihmonin bardheblutë sepse në fund të fundit ata po përfaqësojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Edhe vetë Gurishta e mirëpriti huazimin, ndërkohë që folëm edhe me trajnerin Brdariç i cili edhe ai dha OK-in e tij.

Por huazimi nuk ndodhi për arsye kohe. Bisedat nisën në orën 21.00 të mbrëmjes së para dy ditëve dhe gjithë këto biseda morën kohën e duhur ndërkohë që afati i fundit i rregjistrimit ishte ora 24.00. Duhej bërë firmosja e marrëveshjes mes dy klubeve dhe shumë detaje të tjera dhe koha nuk ishte në favorin e kësaj lëvizje.

Për këtë arsye, nuk u bë i mundur federimi i Gurishtës me Tiranën. E përsëris, Vllaznia ka qenë e gatshme për ta ndihmuar Tiranën për këto ndeshje”.
www.shkodrasport.com