Janë ende të freskëta kujtimet e hidhura për tifozët shkodranë, të sezonit 2020-21 të Superligës. Edicion ku Vllaznia zhvilloi një kampionat të shkëlqyer dhe që u humb vetëm nga golavarazhi kundrejt Teutës. Ku pavarësisht se të dy skuadrat ishin në kuotë të barabartë pikësh, nga 66 secila, kampionatin në fund e fituan durrsakët.

Por nga edicioni i para dy viteve, nëse Vllaznia ka vijuar me performancat e mira dhe fitimin e trofeve, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për “djemtë e detit”. Kështu pas titullit, Teuta në sezonin nuk mundi të kualifikohej as në kupat e Europës, madje duke rrezikuar edhe një vend në Play Off në edicionin e shkuar. E njëjta gjë duket se do ndodhë edhe në sezonin e ri që është në prag.

Merkato e kësaj vere ka qenë pa bujë tek Teuta. Duke afruar kështu vetëm futbollistë të rinj dhe që mund të shërbejnë në të ardhmen. Kjo edhe për shkak të bllokimit të merkatos që kanë durrsakët, që nuk mund të afrojnë futbollistë nga jashtë Shqipërie. Një metamorfozë kjo e skuadrës kampione të para dy sezoneve.

Diçka që nuk ndodh rrallë në futbollin shqiptar, ku pas një suksesi, gjithçka shkatërrohet. Dhe në këtë sezon, Teuta nuk duket të ketë ambicie të mëdha dhe do mundohet të mbijetojë mes me më të mirëve të futbollit shqiptar.
Endri ÇINARI