Më 20 gusht, Vllaznia do të ketë ndeshjen e parë të këtij sezoni në Superiore, ku përballë do të ketë të sapongjiturit e Erzenit. Një short paksa i favorshëm, por gjithsesi në kampin shkodran nuk duan të nënvlerësojnë dhe duan ta nisin me këmbën e mbarë sezonin.

Në dy vitet e fundit, Vllaznia ka hyrë në kampionat me petkun e një skuadre që synon gjithnjë maksimumin dhe të njëjtën gjë synon të bëjë edhe këtë vit. Ndërkohë, “Shkodra Sport” u ka bërë një vëzhgim 10-sezoneve të fundit të shkodranëve, duke marrë në konsideratë ndeshjet hapëse të tyre.

Ajo që bie në sy lidhet me faktin se, shkodranët janë të pathyeshëm në pesë vitet e fundit, teksa në pesë takime i kanë fituar të gjitha. Kështu, përkatësisht kanë mundur Lushnjën, Besëlidhjen në Kategorinë e Parë, Laçin, Apoloninë dhe sërish sezonin e kaluar kurbinasit.

Një tregues optimist ky përpara ndeshjes me Erzenin, edhe pse statistikat ndonjëherë nuk kanë rëndësi, por gjithsesi kanë peshën e tyre në aspektin moral. Kështu, mbetet për t’u parë nëse kjo pathyeshmëri në pesë vitet e fundit do të vijojë edhe këtë sezon apo do të marrë fund.

Më pas, sa i përket startit të përgjithshëm në vitet e tjera në elitë, mund të thuhet se në tërësi nisja nuk ka qenë fort e mirë në shifra të përgjithshme, teksa nuk kanë munguar humbjet. Në fakt, kanë qenë katër humbje, duke nisur fillimisht me Skënderbeun në sezonin 2012-2013, për të vijuar më pas me Flamurtarin në sezonin 2013-2014, me Kukësin në sezonin 2014-2015 dhe me Skënderbeun në sezonin 2015-2016.

Në vetëm një rast, shkodranët e kanë nisur kampionatin me barazim, ndaj Kukësit në sezonin 2016-2017. Bilanci i përgjithshëm është më pozitiv sa u përket fitoreve, sepse bëhet fjalë për pesë të tilla, ku më e fundit është ajo e vitit të kaluar ndaj Laçit në transfertë me rezultatin 3-5 nën drejtimin e trajnerit gjerman Thomas Brdariç. /Maringlen ZHIVANI/

Rezultatet e javës së parë në 10 vitet e fundit:

Sezoni 2012-2013

Vllaznia-Skënderbeu 1-3 / Trajner: Shpëtim Duro

Sezoni 2013-2014

Vllaznia-Flamurtari 0-1 / Trajner: Agim Canaj


Sezoni 2014-2015

Vllaznia-Kukësi 1-2 / Trajner: Baldo Raineri

Sezoni 2015-2016

Vllaznia-Skënderbeu 0-1 / Trajner: Luan Zmijani

Sezoni 2016-2017

Vllaznia-Kukësi 0-0 / Trajner: Armando Cungu

Sezoni 2017-2018

Lushnja-Vllaznia 0-2 / Trajner: Armando Cungu

Sezoni 2018-2019

Vllaznia-Besëlidhja 3-1 / Trajner: Hasan Lika


Sezoni 2019-2020

Vllaznia-Laçi 1-0 / Trajner: Mirsad Jonuz

Sezoni 2020-2021

Vllaznia-Apolonia 2-0 / Trajner: Thomas Brdariç

Sezoni 2021-2022

Laçi-Vllaznia 3-5 / Trajner: Thomas Brdariç