Fillimisht ishte Vera Bregu, më pas Admir Bregu e tani është Izmir Smajlaj. E përbashkëta e tyre janë titujt kampion dhe rekordet e thyera. Por jo vetëm kaq. E përbashkëta kryesore është se të tre ata kanë punuar me një trajner: profesor Vildan Tufin. Ai ndjehet i lumtur për gjithçka ka arritur deri tani megjithatë nuk dëshiron të ndalet këtu. “Me të dhënat që ka Izmir Smajlaj dhe punën që bën ai, ju siguroj që mund të kërcejë 8.30 metra. Vetëm se ky sportist do mbështetje. Shteti, federata dhe gjithë institucionet e tjera,kanë bërë shumë pak për të. Shpërblimi i vetëm që ai merr është një 300 mijë lekësh të vjetra në muaj nga klubi Vllaznia. Natyrisht që nuk i del asgjë dhe prandaj them se duhet më shumë mbështetje ngaqë është një sportist i cili mund të thyejë çdo rekord në Shqipëri dhe mund të renditet në sportistët më të mirë të kontinentit”- ka thënë trajneri i Smajlajt. Tufi ndonëse është në moshë tashmë, vazhdon të punoj plot pasion dhe në fakt, e ka një arsye. Nga duart e tij ka nxjerrë gjithnjë sportistë të mëdhenj me të cilët ka pse të krenohet. Madje, me to duhet të krenohet e gjithë Shqipëria sepse kemi të bëjmë me kampionë dhe rekordmenë të mëdhenj.

© shkodrasport.com